Konferenca e tretë Kombëtare “Shkaktarët e aksidenteve nga këndvështrimi i nxënësve”
Prishtinë, 28 Shtator 2017
Në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme që përmes aktiviteteve të ndryshme të rritet siguria e lëvizjes të nxënësve në shkollat e vendit, Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” organizuan Konferencën e tretë kombëtare “Shkaktarët e aksidenteve nga këndvështrimi i nxënësve”.
Në këtë konferencë përveç prezantimeve nga përfaqësuesit e Këshillit për siguri në trafikun rrugor; Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Kolegjit Tempulli; AMRKS-së, Forumit të Kosovës për siguri në rrugë, u bë edhe publikimi i rezultateve të hulumtimit me të njëjtin titull, i cili është zhvilluar në pranverën e këtij viti me 3691 nxënës të klasave 11 dhe 12 të 23 shkollave të mesme të larta, nga 10 Komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Sipas drejtorit të Kolegjit “Tempulli” z. Muhamed Krasniqi përmes këtij hulumtimi vetdijësues është bërë përpjekje që nxënësit të dinë që ka rregulla që duhet të ndiqen në momentin që dalin nga shtëpia me qëllim që të mos rrezikohen në rrugë.
Ndërkaq, drejtori i Këshillit për siguri në trafikun rrugor pranë Ministrisë së Infrastrukturës, z. Burim Krasniqi tha se faktori njeri shihet si ndër shkaktar kryesor që shkaktojnë aksidente me fatalitet.
Sipas znj. Fatime Jasiqi nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ky hulumtim i bërë në shkollat fillore dhe të mesme për të identifikuar shkaktarët e aksidenteve në trafik mund të shërbej edhe si udhërrëfyes për shumë institucionet arsimore për faktin se ka mungesë të informacioneve për sigurinë në rrugë.