Edhe Kosova bëhet pjesë e Kampanjës Globale #SAVEKIDSLIVES, për sigurinë e fëmijëve në rrugë
Prishtinë, 4 Qershor 2015
Manifestimi qendror në kuadër të Edicionit të tretë të Rivistës shkollore”Siguria në rrugë”, u mbajt sot me datë 4 Qershor. Ky aktivitet është organizuar nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji në bashkëpunim me Kolegjin Tempulli, Policinë e Kosovës, AMRKS, Forumin e Kosovës për siguri në rrugë dhe është përkrahur nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe Komuna e Prishtinës.
Qëllim kryesor i tij është vetëdijesimi dhe rëndësia e njohjes së shenjave dhe rregullave të trafikut për të gjithë nxënësit e Republikës.
Në hapje të këtij aktiviteti morën pjesë përfaqësues nga nivelet e larta të shtetit si z. Arsim Bajrami – Ministër për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, z. Nazmi Jashari dhe z. Fidan Rekaliu –Këshilltar i Ministrit për Infrastrukturë, Kolonel Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës, përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe përfaqësues nga institucionet tjera të vendit.
Ministri për Arsim Shkencë dhe Teknologji z. Arsim Bajrami tha se forma e tillë e edukimit është e rëndësishme në krijimin e edukatës qytetare rreth rregullave të trafikut. Ndërsa organizatori i kësaj ngjarje z. Muhamed Krasniqi theksoj që ndjehet i lumtur që aktivitetet tona kanë ndikuar në krijimin e një ambienti më të sigurt për fëmijët tanë.
Përveç garave me biçikleta, sot u zhvilluan edhe aktivitete të tjera, të cilat lidhen me sigurinë në rrugë dhe janë pjesë e kampanjës ndërkombëtare #SaveKidsLives, si :
– shpërndarja dhe nënshkrimi i Deklaratës së fëmijëve nga mbarë bota që është thirrje e tyre drejtuar të rriturve dhe institucioneve që të bëjnë më shumë për tu mundësuar atyre lëvizje te lirë,
– qytetarët do kenë mundësinë të shkruajnë një moto të shkurtë që lidhet me sigurinë në rrugë dhe të realizojnë fotografi, të cilat pastaj do postohen në faqen e kampanjës ne fjalë.