Përfaqësuesit nga Kosova marrin pjesë në Konferencën Bullgare për Sigurinë Rrugore
Sofia, Bullgari 27 Mars 2018
Federata e Rrugëve të Bullgarisë, së bashku me Federatën Ndërkombëtare të Rrugëve dhe Federatën Evropiane të Rrugëve, kanë organizuar Konferencën ndërkombëtare mbi sigurinë në rrugë “Teknologjitë e reja, praktikat botërore dhe evropiane”.
Ky aktivitet është pjesë e kalendarit të Presidencës Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian 2018 dhe është mbajtur me mbështetjen e Ministrisë për Presidencën Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian 2018, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë dhjetëra folës dhe ekspertë të mirëfilltë ndërkombëtarë dhe bullgarë, të cilët do të paraqesin përvojat e suksesshme botërore, praktikat e mira, teknologjitë inovative dhe zgjidhjet e mundshme për të përmirësuar sigurinë në rrugë dhe për të zvogëluar numrin e viktimave në rrugë.
Konferenca kishte rreth 350 pjesëmarrës nga shtete dhe kontinente të ndryshme duke ofruar një platformë unike për dialog për këtë çështje midis të gjitha palëve të interesuara në nivel rajonal, evropian dhe global – përfshi këtu institucionet qeveritare, sektorin joqeveritar, qarqet akademike dhe të tjerët.
Kjo konference njëkohësisht mbështetet edhe nga institucionet ndërkombëtare si Federata Ndërkombëtare e Rrugëve, Federata Evropiane e Rrugëve, EuroRAP, etj.
Nga Kosova në punimet e kësaj konference morën pjesë përfaqësuesit e Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë znj. Shpresa Mulliqi, Zyrtare e Lartë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Major Jeton Rexhepi, Policia e Kosovës dhe z. Muhamed Krasniqi nga Kolegji Tempulli.