Ministri i Infrastrukturës z. Abrashi shpalos aktivitetet e WDoR 2020
Prishtinë, 15 Nëntor 2020
Asociacioni Kosovar i Motorizmit AMRKS së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe me Policinë e Kosovës, të dielën kanë bërë mbylljen e Javës Botërore për përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor. Në përkujtim të 68 jetëve të humbura nga aksidentet në trafik, përfaqësueses nga këto institucione kanë ndezur po aq qirinj dhe kanë lëshuar numër të njëjtë të balonave. Numri i viktimave nga aksidentet këtë vit ka rënë duke u krahasuar me vitin e kaluar që ishte 98 vdekje. Ky është viti i gjashtë që Kosova i bashkangjitet vendeve të tjera të botës për të shënuar këtë ditë. Këtë vit Dita Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor ka moton “Përkujto, Mbështet dhe Vepro”. Gjatë javës u zhvilluan aktivitete të ndryshme, u mbajtën konferenca online, kampanjë mediale për sensibilizim të opinionit rreth rrezikut në trafikun rrugor etj.