Dita Botërore për përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor
Prishtinë, 17-18 Nëntor 2018
E diela e tretë e muajit Nëntor, saktësisht data 18 Nëntor 2018 shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor (WDoR2018). Këtë vit aktivitetet në kuadër të këtij përkujtimi zhvillohen me moton “Rrugët kanë histori”.
Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet në trafikun rrugor në mbarë globin dhe ka edhe për qëllim mbështetjen ndaj familjarëve të viktimave. Kjo ditë po ashtu është një mirënjohje dhe falënderim për të gjitha shërbimet emergjente duke u fokusuar në rolin e tyre në shpëtimin e jetëve të njerëzve në aksidente rrugore. Përmes aktiviteteve në kuadër të këtij përkujtimi synohet sensibilizimi i shoqërisë që me masa konkrete të angazhohen për më shumë vëmendje në nevojën për përmirësimin e legjislacionit, ndërgjegjësimit, infrastrukturës, etj. me qëllimin më të mirë për të ndihmuar dhe shpëtuar më shumë familje nga dhembja dhe tragjedia që pësojnë me rastin e humbjes të më të dashurve të tyre.
Çdo vit në mbarë globin si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor vdesin 1.25 milionë njerëz dhe dhjetëra miliona të tjerë mbesin të lënduar rëndë. Aksidentet në trafikun rrugor janë shkaktari numër një i vdekjeve të të rinjve të moshës 15-29 vjeç dhe shkaktari i tetë i vdekjeve në mesin e të gjithë njerëzve në mbarë botën. Vlerësohet se në vendet në zhvillim, rreth 1% deri në 3% të prodhimit të brendshëm bruto (GDP) humbet çdo vit për shkak të aksidenteve në trafikun rrugor.
Këtë vit për herë të katërt edhe vendi ynë u bashkua me shtete të ndryshme nga mbarë bota për të shënuar Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, ndërsa sikurse edhe viteve tjera në Kosovë aktivitetet u koordinuan nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës, Këshillin për Siguri në Trafikun Rrugor dhe partnerët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë.
Agjenda e aktiviteteve:
E shtunë, datë 17 Nëntor 2018- në Kolegjin Tempulli u mbajt ligjërata “Çasja, sfidat dhe ballafaqimet në aksidente rrugore në nivel vendi” (Mjekësia, Policia, Gjygjësia).
E diel, datë 18 Nëntor 2018- pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, u ndezën 108 qirinj në përkujtim të 108 të vdekurve në aksidente të trafikut rrugor deri më tani në vitin 2018. Përveç qytetarëve të shumtë në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ministri i Infrastrukturës z.Pal Lekaj dhe Nënkolonel Samedin Mehmeti nga Policia e Kosovës.
Me këtë rast u bë edhe promovimi i filmit të shkurtër vetedijësues për siguri në rrugë “Rrugët kanë histori”.