Forumi për siguri në rrugë (FSRR) respekton plotësisht të gjitha aktivitetet që janë marrë deri tash me theks të posaçëm rreth sjelljes dhe sigurisë së fëmijëve në rrugë. Aktivitetet të cilat janë marrë nga institucionet tona si dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare sigurisht që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e sigurisë në rrugë. Posaçërisht vlen të përmendet puna e palodhshme e mësuesve, prindërve si dhe Policisë së Kosovës në edukimin e fëmijëve për sjellje të sigurta në rrugë. Duke vlerësuar se së bashku mund të bëjmë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve tanë në rrugë, kemi vendosur që të gjithë së bashku të fillojmë një fushatë të re të cilën e kemi emërtuar “Siguria në rrugë”.
Projekti “Siguria në rrugë” në tri faza:
FAZA E PARË
Maj 2013 – aktivitetet në shkolla
Gjatë muajit Maj 2013 janë zhvilluar aktivitetet me nxënës në 40 shkolla, të përzgjedhura nga MASHT-ti, në mbarë vendin. Organizimi i këtyre aktiviteteve me nxënës në shkolla përmes zgjidhjes së testeve të komunikacionit, nënkupton para se gjithash, inkuadrimin e të gjithë nxënësve në programin e mësimit të rregullave elementare dhe shkathtësive të sjelljes, lëvizjes së lirë në komunikacion. Për një kohë kaq të shkurtër aktivitetet tona kanë zënë vendin e duhur në shoqëri dhe puna e ekipeve te FSRR-së e zhvilluar në teren, pati një jehonë të madhe në shkolla. Për këtë duhet falënderuar posaçërisht MASHT-in dhe drejtoritë komunale për arsim në të gjitha komunat e vendit.
Në këtë testim janë përfshirë nxënësit siç vijon më poshtë :
Nacionaliteti Pjesëmarrësit Përqindja
Shqiptarë 2098 94.93%
Serb 32 1.45%
Boshnjak 47 2.13%
Turk 33 1.49%
Totali 2210 100%
MASHT-i ka përzgjedhur shkollat dhe ka kontribuar edhe me një veturë dhe shoferë. Madhështia e këtyre aktiviteteve qëndron në faktin se këto aktivitete patën një karakter gjithë përfshirës, ku kemi arritur që të përfshijmë edhe komunitetet pakicë në Kosovë, si dhe të mbulojmë edhe shkollat në pjesën veriore të Republikës. Të gjitha testet në formatin A3 (me ngjyra në gjuhën :shqipe, serbe, boshnjake dhe turke), janë shtypur nga Tempulli, i cili ka ofruar tri vetura për teren dhe personelin e nevojshëm për zhvillimin e këtyre testeve.
FAZA E DYTË
Korrik – Gusht 2013 – realizimi i dhjetë emisioneve televizive
Gjatë muajve të verës aktivitetet tona janë fokusuar në realizimin e fazës së dytë të projektit ‘Siguria në rrugë”. Përmes emisioneve televizive me ekspertë të ftuar në studio si dhe realizimin e kronikave të posaçme në teren varësisht nga tema e cila është trajtuar kemi arritur për mrekulli të prekim disa shqetësime të qytetarëve sa i përket nivelit të sigurisë në rrugë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Në bashkëpunim me KTV-së gjatë muajve të verës kemi arritur të realizojmë disa emisione në kuadër të rubrikës së rregullt për komunikacion ‘Siguria në rrugë’ duke trajtuar këto tema të mëposhtme:
- Shpalosja e projektit, i ftuar në studio z. Muhamed Krasniqi
- Siguria e fëmijëve në komunikacion, kronikë e përgatitur nga KTV-ja
- Aksidentet në komunikacion, i ftuar në studio z. Baki Kelani
- Rëndësia e helmetës gjatë ngasjes, i ftuar në studio z. Njazi Kusari
- Mjetet me përparësi kalimi në komunikacion, të ftuar dr. Haki Dragusha dhe z.Baki Kelani
- Foshnja në veturë dhe autokarriget, të ftuar znj. Shpresa Mulliqi dhe z.Gamend Preteni
- Mërgimtarët dhe pushimet e tyre në Kosovë, të ftuar z. Muhamed Krasniqi dhe z.Gazmend Preteni
- Autostrada, shpejtësia dhe rregullat, i ftuar në studio z. Jakup Hoti nga Ministria e Infrastrukturës.
- Ndikimi i alkoolit gjatë ngasjes, i ftuar Prof. Dr. Jusuf Ulaj, profesor në Fakultetin e mjekësisë në UP
- Shenjat ndriçuese – semaforët, i ftuar z. Korab Shehu, inxhinier i komunikacionit dhe menaxher në kompaninë e cila mbikëqyrë punën e semaforëve të qytetit.
Të gjitha këto emisione janë në dispozicion për t’u shikuar në çdo kohë në You tube duke kërkuar ‘siguria në rrugë’.
FAZA E TRETË
Shtator-Dhjetor 2013 – publikimi i rezultateve të hulumtimit të zhvilluar në shkollat e vendit
Do të vazhdohet me sajimin e emisioneve televizive duke sjellë tema aktuale rreth sigurisë në rrugë.
Rezultatet e nxjerra nga vlerësimi i njohurive të nxënësve sa u përket njohjes së dispozitave të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacion, janë analizuar dhe gjatë këtij muaji është planifikuar të dilet me përfundime rreth gjetjeve nga ky hulumtim si dhe do të jepen rekomandimet përkatëse.