Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë falënderon Komunën e Prishtinës për përkrahjen e aktiviteteve për siguri në rrugë
Prishtinë, 7 Korrik 2015
Sot kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti priti në takim pune përfaqësues të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë. Gjatë këtij takimi është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit institucional me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së sigurisë së lëvizjes për të gjithë pjesëmarrësit në rrugët e qytetit. z. Krasniqi falënderojë kryetarin e Komunës së Prishtinës për përkrahjen e aktiviteteve për siguri në rrugë, duke premtuar gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha çështjet që lidhen me trafikun dhe transportin në qytet.
Me këtë rast në shenjë falënderimi ai dhurojë një Mirënjohje për Komunën e Prishtinës për mbështetjen e Edicionit të tretë të garave Republikane në kuadër të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”. Ky projekt kombëtar për sigurinë në rrugë, tash e tri vite zhvillohet në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Në anën tjetër kryetari i Komunës z. Ahmeti po ashtu u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit, duke premtuar se Komuna e Prishtinës do të përkrahë këto aktivitete dhe do të propozojë përfaqësuesin e saj në Forumin e Kosovës për siguri në rrugë. Komuna e Prishtinës është e hapur por edhe e gatshme për bashkëpunim në gjitha aktivitetet e propozuara me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira dhe më të sigurta për lëvizje në rrugë për të gjithë qytetarët, tha ndër të tjera z. Ahmeti. Gjatë takimit është dakorduar që të shikohen bashkërisht mundësitë për pajisjen e shkollave të qytetit me kabinet të komunikacionit.
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Forumit, z. Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit të shkencave të aplikuara teknike Tempulli, znj. Shpresa Mulliqi, zyrtare për vetëdijësim dhe siguri publike në OSBE, z. Njazi Kusari – trajner profesional dhe znj. Gentianë Xheladini , asistente në Kolegjin e shkencave të aplikuara teknike Tempulli.