Lajme

  • MANIFESTIMI QENDROR NË KUADËR TË EDICIONIT TË PESTË TË RIVISTËS SHKOLLORE “SIGURIA NË RRUGË”


    Prishtinë, 12 Maj 2017

    Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike "Tempulli" dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit "AMRKS" në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe përkrahjen nga Këshilli për siguri në trafikun rrugor, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë, për herë të pestë organizuan garat tradicionale të nxënësve me biçikleta lidhur me njohuritë për trafikun. Këtë vit në garat republikane "Siguria në rrugë" morën pjesë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta nga 16 Komuna te Republikës të Kosovës.

    Gjatë këtij aktiviteti nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta trguan shkathtësitë e tyre në ngasjen e biçikletës. Njëkohësisht, përmes mbështetjes dhe aktiviteteve për kampanjën SaveLives #SlowDown kërkuan më shumë siguri në rrugë dhe respektim të plotë të shenjave dhe rregullave të trafikut.

    Në hapje të këtij manifestimi me një fjalë rasti përpara publikut u prezantuan z. Muhamed Krasniqi -Drejtor i Kolegjit “Tempulli”, z. Burim Krasniqi - U.D. i Drejtorit të Këshillit për siguri në trafikun rrugor- Ministria e Infrastrukturës, z. Besim Hasani – President i Komitetit Olimpik të Kosovës.

  • EDHE KOSOVA U BË PJESË E AKTIVITETEVE PËR SHËNIMIN E JAVËS SË KATËRT PËR SIGURI GLOBALE RRUGORE TË KOMBEVE TË BASHKUARA


    Java e Katërt për Siguri Globale Rrugore e Kombeve të Bashkuara është shënuar  nga data 8-14 Maj 2017.

    Kjo javë është fokusuar në shpejtësinë gjate ngasjes dhe çka mund të bëhet për të adresuar këtë faktor kryesor të rrezikut për vdekjet dhe lëndimet në trafikun rrugor.

    Kampanja kryesore nën ombrellën e së cilës janë zhvilluar të gjitha aktivitetet është SaveLives #SlowDown.

    Në Republikën e Kosovës, aktivitetet javore për shënimin e Javës së Katërt Për Siguri Globale Rrugore të Kombeve të Bashkuara u organizuan bashkërisht nga të gjitha institucionet në vend të cilat kanë mandat dhe merren me çështjet e sigurisë në trafik si: Këshilli për siguri në trafikun rrugor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policia e Kosovës, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Kolegji i shkencave të aplikuara teknike “Tempulli”, OSBE dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” e cila është organizata zyrtare për Kosovë për implementimin e Javës të Katërt për Siguri Globale Rrugore të Kombeve të Bashkuara.

    Agjenda e aktiviteteve javore të cilat u zhvilluan në Kosovë:

    7 Maj 2017 (e Diel), në Sheshin “Zahir Pajaziti” - Press Konferencë për lansim të aktiviteteve javore në kuadër të Javës së Katërt për Siguri Globale Rrugore e Kombeve të Bashkuara.

    8 Maj 2017 (e Hënë) - Në mediat elektronike dhe të shkruara në këtë ditë u realizuan intervista, ku përveç që u diskutua për historikun e kësaj dite, rëndësi e veçantë është rezervuar edhe për diskutimin e gjendjes aktuale të sigurisë rrugore në Kosovë dhe masat që duhet të ndërmerren me qëllim të përmirësimit të sigurisë së lëvizjes në rrugë.

    10 Maj 2017 (e Mërkurë), në Spitalin e Pediatrisë - Shpërndarja e librave për ngjyrosje “Si të lëvizim të sigurt në rrugë”.

    11 Maj 2017 (e Enjte), në Qendrën e Shëndetit Mendor – Prishtinë dhe SOS Fshati – Ekspertë të fushës së trafikut ofruan ligjëratë për siguri në rrugë.

    12 Maj 2017 (e Premte), në Sheshin “Zahir Pajaziti”- Prishtinë - Manifestimi qendror në kuadër të Edicionit të pestë të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”, ku nxënësit e 16 shkollave fillore dhe të mesme të ulëta treguan shkathtësitë e tyre në ngasjen e biçikletës.

    13 Maj 2017 (e Shtune) - Zhvillimi i anketave në rajone të ndryshme me ngasës të mjeteve motorike,  me qëllim të vlerësimit të njohurive të tyre për elementet përbërëse të mjeteve motorike.

    14 Maj 2017 (E Diel), në Sheshin “Zahir Pajaziti” - Press Konferencë për përmbyllje të aktiviteteve.

     

  • AMRKS PJESËMARRËSE NË TAKIMIN VJETOR NË KUADËR TË PROJEKTIT TRASACU


    Vjenë, 6 Prill 2017

    Me datë 6 Prill 2017 në Vjenë u mbajt takimi i tretë vjetor në kuadër të TraSaCu- Traffic Safety Culture,  projekt ky i financuar nga Komisioni Europian, i cili synon zhvillimin e një qasje kulturore të kërkimit për sigurinë e trafikut rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, ndërsa  partner nga Kosova në këtë projekt është AMRKS.

    Gjatë takimit të gjithë partnerët (Kosova, Shqipëria, Turqia, Greqia, Austria, Holanda, Estonia, Finlanda, Virgjinia) kishin mundësi të informonin të tjerët lidhur me aktivitetet e tyre gjatë vitit të kaluar dhe planet për aktivitetet në vazhdim.

    Njëkohësisht u diskutua edhe për të arriturat e projektit deri më tani dhe punën që na pret në vitin e fundit në kuadër të TraSaCu, ku më e rëndësishmja është zhvillimi i një manuali i cili do ju ndihmojë institucioneve të cilat kanë mandat të angazhohen për përmirësimin e sigurisë në rrugë duke u bazuar në kulturën e sigurisë në trafik.

  • KONFERENCA E KATËRT NDËRKOMBËTARE “SIGURIA SI SFIDË KYÇE PËR TRANSPORT TË QËNDRUESHËM DHE MOBILITET”


    Prishtinë, 20 Janar 2017

    Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS”, me përkrahjen nga IRU Academy, European Transport Safety Council – ETSC, Centre for Transport and Logistics “Sapienza” – University of Rome dhe Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, me datë 20 Janar 2017, organizuan Konferencën e katërt ndërkombëtare “Siguria si sfidë kyçe për transport të qëndrueshëm dhe mobilitet”.

    Konferenca arriti të bashkoj të gjitha palët e interesit të zotuara për përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe zhvillimin e një qasje gjithëpërfshirëse dhe të përbashkët ndaj këtij problemi, me synim të shkëmbimit të praktikave më të mira nga programet efektive të veprimit për sigurinë në rrugë mes institucioneve lokale, rajonale dhe evropiane, si dhe palët e interesit të angazhuara në çështjet e transportit dhe sigurisë në rrugë.

    Në hapje të konferencës morrën pjesë përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. Kurse, në panele të ndara kontribuan me përvojat dhe prezantimet e tyre përfaqësuesit nga IRU Academy (Zvicër), La prevention routiere internationale-PRI (Maroko), Promotrans (Francë), Federata Evropiane e viktimave në trafikun rrugor (Belgjikë), Instituti i Belgjikës për siguri në rrugë (Belgjikë), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti Politeknik i Tiranës (Shqipëri), Policia e Kosovës, OSBE, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, etj.

     

  • AKTIVITETET PËR SHËNIMIN E DITËS BOTËRORE PËR PËRKUJTIMIN E VIKTIMAVE NË TRAFIKUN RRUGOR


    Prishtinë, 17-20 Nëntor 2016

    E diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

    Këtë vit Policia e Kosovës, OSBE, Kolegji i Shkencave të Aplikuara ‘Tempulli’(njëherit edhe linku zyrtar për Kosovën në WDR), AMRKS dhe KUSA zhvilluan aktivitete katër ditore për shënimin e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor.

    Dita I (17 Nëntor 2016)- Grupi punues gjatë gjithë ditës ishin prezent në media të shtypura dhe vizuele, për të diskutuar lidhur me qëllimin e shënimit të kësaj dite dhe njëkohësisht edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në rrugë dhe planin e veprimit për përmirësim të gjendjes aktuale. Intervistat në fjalë ishin një mundësi e mirë për sensibilizim të opinionit publik për rëndësinë e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor dhe mënyrën e përfshirjes së secilit pjesëmarrës në rrugë në këto aktivitete.

    Dita II (18 Nëntor 2016)- Grupi punues në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Qendrën e Transfuzionit të Gjakut u lokalizuan në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me këtë rast shumë qytetar këtë ditë dhuruan gjak për personat e lënduar në aksidente trafiku.

    Dita III (19 Nëntor 2016)- Grupi punues bashkë me qytetarë të shumtë pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë ndezën qirinj në nderim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Njëkohësisht gjatë kësaj kohe janë emetuar edhe video spote të cilat kanë për qëllim vetëdijesim e të gjithë pjesëmarrësve për një sjellje të edukuar dhe të përgjegjshme në trafik.

    Dita IV (20 Nëntor 2016)- Aktiviteti i parafundit për këtë vit ishte Konferenca Ndërkombëtare për shënimin e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor, ku morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve vendore dhe rajonale. Kjo konferencë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për gjendjen e sigurisë në rrugë e cila ekziston në vendin tonë dhe dhënien e rekomandimeve për veprimet që duhet të ndërmerren për përmirësim të gjendjes aktuale.

    Aktivitetet u përmbyllën me marshin përkujtimor në qendër të qytetit për nderim të gjithë personave që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa pjesëmarrës ishin pjesëmarrësit e konferencës dhe qytetarë të shumtë.

     

  • KAMPANJA VETËDIJESUSE “MOS E BJER PUNËN DERI KËTU” PËRFAQËSON KOSOVËN NË KONFERENCËN EVROPIANE PËR SIGURI NË RRUGË


    Bruksel, 17-18 Nëntor 2016

    Video spoti “Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes” pjesë e kampanjës vetëdijesuese “Mos e bjer punën deri këtu” është përzgjedhur në mesin e shumë kampanjave të zhvilluara nga vende të ndryshme të  Evropës  për tu prezantuar në Konferencën Evropiane për kampanja vetëdijesuese për siguri në rrugë, e cila u mbajt më datë 17 dhe 18 Nëntor 2016 në Bruksel.

    Në këtë konferencë themeluesi i AMRKS-së z. Muhamed Krasniqi përveç që prezantoj këtë kampanjë dhe qëllimin e saj, njëkohësisht prezantoj edhe aktivitetet tjera për sigurinë në rrugë të zhvilluara në Kosovë gjatë viteve të fundit.

    Konferencën dyditore e hapi z. Antonio Avenoso, Drejtor ekzekutiv i Këshillit Evropian për siguri në transport (ETSC). Në këtë takim ishte i pranishëm edhe z. Herman De Kro, President i ETSC dhe ish Ministër i Transportit në qeverinë belge.

    Gjatë dy ditëve u prezantuan kampanja mjaftë interesante nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të disa vendeve të Evropës, si: Ministria Flamane e mobilitetit dhe punëve publike, Hulumtuesit Evropiane të përdoruesve të sigurisë rrugore (ESRA), Instituti Belg i sigurisë rrugore (BRSI), Fondacioni Flaman për njohuri në trafik (VSV), Bordi i sigurisë rrugore nga Austria, Këshilli Finlandez i sigurisë rrugore (Liikenneturva), Këshilli Danez i sigurisë rrugore, Autoriteti Belg i sigurisë rrugore, Agjencia Ëalloon për sigurinë rrugore (AËSR), Asociacioni Kosovar i motorizimit (AMRKS), Këshilli Norvegjez i sigurisë rrugore, Autoriteti për transport i Islandës, Fondacioni Flaman për njohuri në trafik (VSV), Këshilli Republikan për sigurinë në trafikun rrugor i Maqedonisë, Prindërit e viktimave në trafikun rrugor nga Belgjika, etj.

    Ishte nder që në pranin e të gjithë këtyre zyrtarëve dhe përfaqësuesve të këtyre shteteve (të cilat investojnë shumë në aktivitete të ndryshme për ngritjen e sigurisë në rrugë), të vlerësohet lart puna e #AMRKS nga Kosova (një vend që nuk investon aspak për sigurinë në rrugë).

  • AMRKS KRYESON DELEGACIONIN E KOSOVËS NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE PËR SIGURI NË RRUGË "MENAXHIMI I SIGURISË RRUGORE NË EVROPËN JUGLINDORE, SFIDAT DHE VEPRIMET"


    Shkup, 30 Shtator-1 Tetor 2016

    Për dy ditë me radhë në në Shkup zhvilloj punimet Konferenca ndërkombëtare për sigurinë në rrugë "Menaxhimi i sigurisë rrugore në Evropën Juglindore, sfidat dhe veprimet". Ky aktivitet është organizuar nga Këshilli Republikan i Maqedonisë për sigurinë në trafikun rrugor, kurse është mbajtur nën patronatin e Presidentit të Republikës të Maqedonisë z. Gjorgje Ivanov.

    Në konferencë përveç zyrtarëve nga Qeveria e Maqedonisë mori pjesë edhe drejtori ekzekutiv në Këshillin evropian për sigurinë në rrugë (ETSC), z. Antonio Avenoso dhe përfaqësues të shumtë nga Institucionet arsimore dhe organizatat e ndryshme nga Maqedonia, regjioni dhe Europa.

    Në panelin e parë të diskutimit u paraqitën drejtuesit e Këshillit vendor për sigurinë në trafikun rrugor dhe përfaqësuesit e këshillave/asociacioneve nga shtetet e regjionit si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Kosova në këtë panelë  përfaqësohej nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit-AMRKS. Njëkohësisht, pjesëmarrës ishin edhe një numër i konsideruar i përfaqësuesve të tjerë të institucioneve nga Kosova, si nga Policia e Kosovës, profesor dhe ekspertë të çështjeve të trafikut.

  • “POZICIONIMI I SHQIPËRISË KUNDREJT SIGURISË RRUGORE TË BE-së”


    Tiranë, 6 Korrik 2016

    Këtë herë ishte Tirana vendi që bëri bashkë ekspert vendor dhe ndërkombëtar për të diskutuar lidhur me sigurinë rrugore. Ky aktivitet ishte edhe një mundësi shtese për shkëmbim të njohurive dhe eksperiencës në mes të pjesëmarrësve.

    Me prezentimet e tyre kontribuan Ministri i transporteve të Shqipërisë, z. Haxhinasto, përfaqësuesit e World Bank, Polytechnic University of Tirana, Director of Traffic Police, Ministry of Interior, Albania, TAP Representative, SHELL, NAVAK Training Center, Serbia, InterAlbanian Insurance Company, Technical University of Athens, Greece, General Director of the Roads Directorate from Albania, AMRKS, La Sapienza University, Rome, Regional Manager for Opel Southeast Europe, Aleksander Moisiu University, etj. Kurse, nga Kosova ishte përzgjedhur z. Muhamed Krasniqi-themelues i AMRKS të prezantojë para pjesëmarresve aktivitetet dhe këndvështrimet nga Kosova kundrejt çeshtjes së sigurisë rrugore.

    Sponsorët e kësaj konference, janë Avis Rent A Car Shqipëri dhe TAP (Trans Adriatic Pipeline).

     

     

  • PUNËTORI: GJENDJA E SIGURISË RRUGORE NË KOMUNAT MITROVICË, VUSHTRRI DHE SKENDERAJ


    Mitrovicë, 15 Qershor 2016

    Jemi në sezonin veror dhe mundësitë për shtimin e numrit të aksidenteve në trafik janë gjithnjë më të madha, kjo edhe për shkak të fluksit të atdhetarëve që do vizitojnë Kosovën në këtë periudhë.

    AMRKS, përkatësisht Forumi i Kosovës për siguri në rrugë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, organizoj ne Mitrovicë një punëtori ku fokus kryesor ishte gjendja aktuale e sigurisë rrugore në Komunat Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.

    Qëllim i kësaj punëtorie, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, Policia e Kosovës, Kuvendet Komunale, ekspert nga Kolegji “Tempulli” dhe AMRKS ishte diskutimi lidhur me mesazhet që duhet të përçohen tek qytetarët, me qëllim ngritjen e vetëdijesimit të tyre që secili nga ne në trafik duhet të kujdeset për veten dhe të tjerët, me fjalë të tjera secili nga ne duhet të ketë një kulturë të sjelljes në trafik.

     

  • TRYEZË E RRUMBULLAKËT "VIZIONI ZERO I AKSIDENTEVE NË RRUGË"


    Prishtinë, 31 Maj 2016

    Me qëllim që të kontribuojmë sa më shumë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë rrugore në vend, AMRKS përkatësisht Forumi i Kosovës për siguri në rrugë në bashkëpunim me Kolegjin Tempulli organizoi tryezën e rrumbullakët "VIZIONI ZERO i aksidenteve në rrugë".

    Pjesë e panelit ishin përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës, Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve, Qendra e Mjekësisë Urgjente, Kolegjit “Tempulli”, AMRKS, OSCE dhe anëtarë të tjerë të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë.

    Tryeza solli reflektimet e panelistëve si përpjekje e përbashkët për të ndaluar që askush të mos pësojë për shkak të një aksidenti në trafik.

  • PRESIDENTI I FIA-S JEAN TODT VIZITOI KOSOVËN


    Prishtinë, 27 Maj 2016

    Presidenti i FIA-s Jean Todt, njëherit i ngarkuar i posaçëm nga OKB  për sigurinë botërore në rrugë, në javën e fundit të muajit Maj vizitoi Kosovën.

    Gjatë vizitës së tij Presidenti Jean Todt u prit nga krerët më të lartë të pushtetit qendror dhe lokal të Kosovës, me këtë rast nga të gjithë kërkojë angazhim për përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe marrjen e masave të tjera konkrete me qëllim ndalimin e vdekjeve si pasojë e aksidenteve në trafik.

    Ai bashkë me qeveritarët tanë përmes shkrimit të mesazheve për siguri në rrugë, treguan mbështetjen e tyre për kampanjën botërore #SaveKidsLives. Kjo nuk është hera e parë që Kosova bëhet pjesë e kësaj kampanje, sepse gjatë vitit të kaluar AMRKS ka zhvilluar aktivitete në kuadër të #SaveKidsLives, si shkrimi i mesazheve për siguri në rrugë nga qytetarët, shpërndarja dhe nënshkrimi i Deklaratës së fëmijëve nga mbarë bota që është thirrje e tyre drejtuar të rriturve dhe institucioneve që të bëjnë më shumë për tu mundësuar atyre lëvizje të lirë.

    Sukseset e garuesve Kosovar dhe të Federatës së Auto Sporteve të Kosovës (FASK) në arenën ndërkombëtare, janë meritor për realizimin e vizitës së Jean Todt në Kosovë.

  • MANIFESTIMI QENDROR NË KUADËR TË EDICIONIT TË KATËRT TË RIVISTËS SHKOLLORE “SIGURIA NË RRUGË”


    Prishtinë, 13 Maj 2016

    Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe AMRKS së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe me përkrahjen nga  Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, organizuan edicionin e katërt të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”. Këtë vit pjesë e aktivitetit ishin gjithsejtë 20 SHFMU nga 6 komuna të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Vushtrri, Suharekë dhe Mitrovicë).

    Në hapje të manifestimit qendror foli z. Muhamed Krasniqi, Drejtor i Kolegjit Tempulli, z. Lutfi Zharku, Ministër i Infrastrukturës, znj. Anila Statovci, Zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Kolonel Sheremet Ahmeti, nga Policia e Kosovës dhe përfaqësues të tjerë nga institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare.

    Ministri i Infrastrukturës z. Lutfi Zharku tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje ta përkrah këtë aktivitet të rëndësishëm për fëmijët e Kosovës. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci Demaj, tha se MASHT, e ka për detyrë që t’i edukojë fëmijët në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm në mësim por edhe për jetën.

    Kësaj radhe në garat republikane fituan:

    Grupi i parë:

    I. Ylli Haxha, SH.F.M.U. „Ismajl Qemajli“, Mitrovicë e Jugut

    II. Gentrit Hyseni, SH.F.M.U. „Lumni Surdulli“, Gadime e Epërme-Lipjan

    III. Gresa Bruqi, SH.F.M.U. “ Ismajl Qemajli”, Prishtinë

    Grupi i dytë:

    I. Vigan Havolli, SH.F.M.U „Shkolla Model“, Prishtinë

    II. Deniz Azemi,  SH.F.M.U “ Vezir Jashari”, Ferizaj

    III. Blinera Vlladi, SH.F.M.U “Afrim Abazi”, Ferizaj

     

  • AMRKS MERR PJESË NË TAKIMIN VJETOR TË TraSaCu


    Vjenë, 26-27 Prill 2016

    TraSaCu- Traffic Safety Culture është projekt i financuar nga Komisioni Europian, i cili synon zhvillimin e një qasje kulturore të kërkimit për sigurinë e trafikut rrugor dhe parandalimin e aksidenteve. Kosova në këtë projekt është partner i barabartë krahas partnerëve tjerë nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Austria, Holanda, Estonia, Finlanda, Virgjinia.

    Me datë 26 dhe 27 Prill në Vjenë u mbajt takimi vjetor i të gjithë partnerëve ku u shpalosën të arriturat e deritashme dhe u vendos për aktivitetet e mëtutjeshme në kuadër të projektit. Ky takim ishte një mundësi e mirë për të gjithë pjesëmarrësit që të promovojnë aktivitetet e tyre për të garantuar një sjellje më të kulturuar në rrugë.

    Në muajin Qershor të këtij viti pritet që vendin tonë ta vizitojë një ekspert nga TraSaCu, i cili do të bashkëpunojë nga afër me AMRKS dhe institucionet tjera ne vend të cilat merren me çështjet e sigurisë në rrugë.

  • EDICIONI I KATËRT I RIVISTËS SHKOLLORE “SIGURIA NË RRUGË”- PJESA TEORIKE


    Prishtinë, 29 Mars 2016

    Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë këtë vit organizojnë edicionin e katërt të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”.

    Ky aktivitet tashmë tradicional në shkallë vendi, përfshin shkolla fillore dhe të mesme të ulta nga komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, përzgjedhjen e të cilave e bënë MASHT-i.

    Pjesëmarrëse në këtë edicion janë gjithsejtë 20 SHFMU nga 6 Komuna të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Vushtrri, Suharekë dhe Mitrovicë), kurse me qëllim të mbarëvajtjes së aktiviteteve nxënësit janë ndarë në dy grupe:

    Grupi i parë - klasat 3, 4 dhe 5,

    Grupi i dytë - klasat 6, 7, dhe 8.

    Në kuadër të pjesës teorike, me datë 29 Mars deri më 1 Prill 2016, grupet punuese vizituan shkollat e përzgjedhura. Për dallim nga edicionet e kaluara ku nxënësit kanë plotësuar testet me qëllim të vlerësimit të njohurive të tyre për rregullat dhe shenjat e trafikut, këtë vit është vepruar ndryshe. Nxënësve u janë shpërndarë pyetësor dhe duke u bazuar në rezultatet që merren nga pyetësori do të publikohet hulumtimi që ka për qëllim identifikimin e faktorëve kryesor që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes së nxënësve gjatë rrugëtimit nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

    Edicioni i katërt i Rivistës shkollore “Siguria në rrugë” përkrahet nga Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

     

  • ALCOHOL INTERLOCKS: DREJT NJË QASJE EVROPIANE PËR TË LUFTUAR DUKURINË E NGASJES NËN NDIKIMIN E ALKOOLIT


    Lubjanë, Asambleja Kombëtare e Sllovenisë, 5 SHKURT 2016

    Këshilli Evropian për Siguri në Transport-ETSC, pjesë e së cilës është edhe AMRKS së bashku me Agjencinë Sllovene për Siguri në rrugë, organizuan një tryezë të rrumbullakët në Asamblenë  Kombëtare të Sllovenisë në Lubjanë, që kishte si qëllim kryesor ngritjen e vetëdijësimit të politikanëve, sektorit privat dhe liderëve por edhe opinionit, se si të zhvillohet dhe të fuqizohet një qasje sistematike për të redukutar përdorimin e alkoolit në trafik.

    Hapjen e këtij aktiviteti e bëri Kryetari i Kuvendit të Sllovenisë Dr. Milan Brglez, Ministri i Infrastrukturës z. Peter Gašperšič dhe udhëheqes më të lartë agjencive shtetërore.

    Ishte një diskutim mjaftë konstruktiv me përgjegjësit institucionalë të kësaj çështje si Agjencioni slloven për sigurinë në trafik, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e përgjithshme e Policisë sllovene.

    Fokusi kryesor ishte në masat që duhet të merren për të trajtuar dukurinë e ngasjes nën ndikimin e alkoolit përmes përdorimit të Alcohol interlocks, njëkohësisht u diskutua edhe për rezultatet e hulumtimeve të fundit dhe rastet studimore të realizuara nga shtetet antare të BE-së, duke filluar nga fjalimi kyq  nga znj. Violeta Bulc, Komisionere e BE-së për Transport.

    Poashtu, ky aktivitet u mundësojë pjesëmarrësve të diskutojnë me ekspertë të ndryshëm nga kjo fushë dhe njëkohësisht të shkëmbejnë eksperiencat e tyre për sa i përket suksesit në përdorimin e alcohol interlocks në gjithë BE-në.

  • KONFERENCA E TRETË NDËRKOMBËTARE “HULUMTIMET NË TRANSPORT DHE TRANSFERIMI I NJOHURIVE NË SIGURINË RRUGORE”


    Prishtinë, 22 Janar 2016

    Këtë vit për herë të tretë Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” organizuan  Konferencën ndërkombëtare “Hulumtimet në transport dhe transferimi i njohurive në sigurinë rrugore”. Kurse përkrahja e saj u bë nga Forumi i Kosovës për siguri në rrugë,   Sapienza – Università di Roma, IRU Academy, European Transport Safety Council – ETSC.

    Kjo konferencë arriti të bashkojë në një vend institucionet dhe akterët që merren me çështjet e transportit dhe sigurisë rrugore në vend, regjion dhe Evropë dhe ishte një mundësi e mirë për shkëmbim të ideve me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për sa i përket sfidave që lidhen me sigurinë rrugore, projektet investuese të BE-së në infrastrukturën rrugore-hekurudhore dhe transferimin e hulumtimeve të ndryshme për sigurinë në rrugë.

    Në hapje të saj morën pjesë përfaqësuesit nga Ministria e Infrastruturës, Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Avokati i Popullit. Kurse panelistë ishin përfaqësuesit nga Këshilli Evropian për siguri rrugore (Belgjikë), IRU Academy (Zvicër), EuroRap (Angli), Universiteti Sapienza (Itali), Këshilli Austriak për siguri në rrugë (Austri), TraSaCu Projekt, Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për siguri publike, EULEX, OSBE, FSK, Konfederata e Shoqatave shqiptare të sigurisë rrugore, etj.

    Me qëllim të implementimit të rekomandimeve të dhëna nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar gjatë konferencës, ato do të dorëzohen tek institucionet dhe palët e interesit në mënyrë që të gjithë bashkë të kontribuojmë në realimin e tyre.

  • POLICIA E KOSOVËS NDAN MIRËNJOHJE PËR FORUMIN E KOSOVËS PËR SIGURI NË RRUGË


    Prishtinë, 30 Dhjetor 2015

    Policia e Kosovës/Divizioni i Komunikacionit rrugor i ndau Forumit të Kosovës për siguri në rrugë mirënjohje për kontributin e dhënë në organizimin e aktiviteteve të cilat qëllim kryesor kanë përmirësimin e sigurisë rrugore. Kjo Mirënjohje padyshim se është dhurata më e vlefshme e këtij viti, sepse është krenari kur aktivitetet e tilla respektohen dhe vlerësohen nga institucioni më i besuar në vend.

    Me këtë rast Forumi i Kosovës për siguri në rrugë falënderon të gjithë anëtarët për kontributin e tyre të vazhdueshëm në realizimin e objektivave tona, sepse vetëm të bashkuar mund të bëjmë më shumë për tu ofruar qytetarëve një siguri më të madhe në trafik.

  • Forumi i Kosovës për siguri në rrugë u mblodh sot për të diskutuar mbi gjendjen e sigurisë rrugore në vend


    Prishtinë, 24 Dhjetor 2015

    Në takimin e sotëm përmbyllës të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë janë prezantuar detajisht të gjitha aktivitetet vjetore, të cilat janë zhvilluar përgjatë gjithë vitit në vend. Ndër të tjera të gjithë partnerët shfaqën brengën dhe shqetësimin e tyre për nivelin e sigurisë në vend si dhe numrin e aksidenteve të trafikut, të cilat për nga numri dhe pasojat e tyre tashmë konsiderohen si alarmante.

    Gjatë këtij takimi antarët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë ju bënë thirrje institucioneve të cilat kanë mandat për sigurinë në rrugë, që përfunidimisht të marrin veprime konkrete dhe në bashkëpunim me mekanizmat tjera respektive të ndërmarrin edhe masa konkrete ndëshkuese, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë. Njëkohësisht ju bënë thirrje edhe të gjithë pjesëmarrësve në rrugë të jenë të kujdesshëm çdo herë e sidomos tani që kemi hyr në stinën e dimrit dhe jemi në prag të festave të fundvitit.

  • AMRKS I BASHKOHET 3-STAR COALITION


    Prishtinë, 10 Dhjetor 2015

    AMRKS zyrtarisht ka pranuar konfirmimin për anëtarësim në 3-Star Coalition, i cili është një grup i 57 organizatave nga mbarë bota që punojnë për të ndërtuar një botë të shëndetshme duke avokuar për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve më të sigurta në botën në zhvillim.

    Në mënyrë të veçantë, 3-Star Coalition avokon për rrugët në vendet në zhvillim që ndërtimi i tyre të plotësojë së paku standardin e sigurisë me 3 yje për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe ky koalicion nxit organizata si Banka Botërore për të miratuar këtë standard.

    3-Star Coalition ka një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin përmirësimin në zbatimin e ligjeve të sigurisë rrugore, arsimin publik si dhe angazhohet për një lidership të fortë për sigurinë në rrugë, andaj antarësimi i AMRKS në këtë koalicion ndërkombëtar dhe në organizata të tjera të cilat kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore është me rëndësi të veçantë për mbarë vendin sepse në këtë mënyrë mundësohet shkëmbimi i praktikave me vende të ndryshme nga bota dhe së kontribuojmë për sigurinë në rrugë dhe për të drejtat e personave që pësojnë nga aksidentet rrugore.

  • Kosova shënon Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor


    Prishtinë, 12-15 Nëntor 2015

    E diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

    Në Kosovë kjo ditë u shënua me një mori aktivitetesh, të cilat ishin një thirrje protestuese për siguri më të madhe në rrugë, por edhe përkujtim i jetëve të humbura në aksidente trafiku.

    Aktivitetet në fjalë filluan me 12 Nëntor dhe përfunduan më 15 Nëntor 2015.

    E enjte, datë 12 Nëntor- në emisionin javor dedikuar sigurisë në rrugë në KTV u bë lansimi i aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës Botërore për përkujtim të viktimave në trafikun rrugor.

    E premte, datë 13 Nëntor – duke u bazuar në faktin se kërkesat për gjak në vendin tonë janë të mëdha, qytetarë të shumtë dhuruan  gjak për personat e aksidentuar në trafik.

    E shtunë, datë 14 Nëntor – me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve për një sjellje të edukuar në trafik, në qendër të Prishtinës gjatë tërë pasdites u emetuan spote të ndryshme për siguri në rrugë.

    E diel, datë 15 Nëntor – Me moton “Është koha për të kujtuar – thuaj JO krimeve në rrugë” qytetarë të shumët marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë. Qëllimi i tyre ishte të përcjellin mesazh vetëdijësues tek qytetarët dhe institucionet për kujdes në trafik. Aktivitetet vazhduan duke marshuar me biçikleta drejtë magjistrales Prishtinë-Pejë, që është rruga më e frekuentuar në Kosovë. Kurse, në mbrëmje tek Teatri Kombëtar u bë ndezja e 112 qirinjve në përkujtim të 112 personave që humbën jetën në aksidente trafiku në periudhën Janar – Nëntor 2015.

    Të gjitha aktivitetet e lartpërmendura ishin iniciativë qytetare, të cilat u mbështetën edhe nga shoqëria civile dhe nga disa institucione të vendit: Zyra e Presidentes së Kosovës, MI, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Kolegji Tempulli, Asociacioni Kosovar i Motorizimit-AMRKS, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Transfuzioni i gjakut, Brigada e Zjarrfikësve dhe Nisma vetëdijësuese për çiklizëm.

    Së bashku mund të bëjmë më shumë për të penguar të keqen dhe për të ofruar më shumë siguri në rrugë.

  • GJENDJA E SIGURISË NË RRUGË MJAFTË SHQETËSUESE SI PASOJË E AKSIDENTEVE NË TRAFIK


    Prishtinë, 18 Shtator 2015

    Sa i përket aksidenteve në trafik në vend, gjashtëmujori i parë i këtij viti karakterizohet me një siguri më të madhe në rrugë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Këto dhe çështje të tjera të cilat lidhen me sigurinë në rrugë, u diskutuan sot në takimin e radhës që u mbajt nga antarët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë, ku morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës, Tempulli, AMRKS, OSBE, UNHCR, Këshilli i prindërve të Kosovës, Këshilli i mësimdhënësve të Kosovës dhe Forumi i Shofer Instruktorëve të Kosovës. Të gjithë një zëri shprehën shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e sigurisë në rrugë. Shtatori është muaji më i rëndë i këtij viti, për sa i përket viktimave nga aksidentet në trafik, ku vetëm brenda këtyre ditëve kanë qenë 14 persona të vdekur, derisa vitin e kaluar, gjatë gjithë muajit Shtatorit numri i viktimave ishte 10.

    Pothuajse të gjithë të pranishmit gjatë fjalimeve të tyre shprehën vërejtje të shumta në (mos) punën e deritashme të Ministrisë së Infrastrukturës si institucion i cili ka mandat ligjor për sigurinë në rrugë në vend. Ata kërkuan me ngulm që përfundimisht Këshilli kombëtar për sigurinë në komunikacionin rrugor të ftojë të gjitha mekanizmat respektive për te analizuar gjendjen e sigurisë ne rruge e cila fatkeqësisht përditë e më tepër është duke u rënduar.

    Me këtë rast u shpalosën edhe aktivitetet të cilat Forumi do ti zhvillojë brenda këtij viti por edhe në vitin e ardhshëm. Aktiviteti i radhës është caktuar me datë 15 Nëntor 2015 kur do të bëhet edhe shënimi i Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të aksidenteve në trafik

  • Forumi i Kosovës për siguri në rrugë falënderon Komunën e Prishtinës për përkrahjen e aktiviteteve për siguri në rrugë.


    Prishtinë, 7 Korrik 2015

    Sot kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti priti në takim pune përfaqësues të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë. Gjatë këtij takimi është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit institucional me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së sigurisë së lëvizjes për të gjithë pjesëmarrësit në rrugët e qytetit. z. Krasniqi falënderojë kryetarin e Komunës së Prishtinës për përkrahjen e aktiviteteve për siguri në rrugë, duke premtuar gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha çështjet që lidhen me trafikun dhe transportin në qytet.

    Me këtë rast në shenjë falënderimi ai dhurojë një Mirënjohje për Komunën e Prishtinës për mbështetjen e Edicionit të tretë të garave Republikane në kuadër të Rivistës shkollore "Siguria në rrugë". Ky projekt kombëtar për sigurinë në rrugë, tash e tri vite zhvillohet në bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

    Në anën tjetër kryetari i Komunës z. Ahmeti po ashtu u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit, duke premtuar se Komuna e Prishtinës do të përkrahë këto aktivitete dhe do të propozojë përfaqësuesin e saj në Forumin e Kosovës për siguri në rrugë. Komuna e Prishtinës është e hapur por edhe e gatshme për bashkëpunim në gjitha aktivitetet e propozuara me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira dhe më të sigurta për lëvizje në rrugë për të gjithë qytetarët, tha ndër të tjera z. Ahmeti. Gjatë takimit është dakorduar që të shikohen bashkërisht mundësitë për pajisjen e shkollave të qytetit me kabinet të komunikacionit.

    Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Forumit, z. Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit të shkencave të aplikuara teknike Tempulli, znj. Shpresa Mulliqi, zyrtare për vetëdijesim dhe siguri publike  në OSBE, z. Njazi Kusari – trajner profesional dhe znj. Gentianë Xheladini , asistente në Kolegjin e  shkencave të aplikuara teknike Tempulli.

  • EDHE KOSOVA BËHET PJESË E KAMPANJËS GLOBALE #SAVEKIDSLIVES, PËR SIGURINË E FËMIJËVE NË RRUGË


    Prishtinë, 4 Qershor 2015

    Manifestimi qendror në kuadër të Edicionit të tretë të Rivistës shkollore”Siguria në rrugë”,u mbajt sot me datë 4 Qershor. Ky aktivitet është organizuar nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji në bashkëpunim me Kolegjin Tempulli, Policinë e Kosovës, AMRKS, Forumin e Kosovës për siguri në rrugë dhe është përkrahur nga Byroja Kosovare e Sigurimit dhe Komuna e Prishtinës.

    Qëllim kryesor i tij është vetëdijesimi dhe rëndësia e njohjes së shenjave dhe rregullave të trafikut për të gjithë nxënësit e Republikës.

    Në hapje të këtij aktiviteti morën pjesë përfaqësues nga nivelet e larta të shtetit si z. Arsim Bajrami – Ministër për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, z. Nazmi Jashari dhe z. Fidan Rekaliu –Këshilltar i Ministrit për Infrastrukturë, Kolonel Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës, përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe përfaqësues nga institucionet tjera të vendit.

    Ministri për Arsim Shkencë dhe Teknologji z. Arsim Bajrami tha se forma e tillë e edukimit është e rëndësishme në krijimin e edukatës qytetare rreth rregullave të trafikut. Ndërsa organizatori i kësaj ngjarje z. Muhamed Krasniqi theksoj që ndjehet i lumtur që aktivitetet tona kanë ndikuar në krijimin e një ambienti më të sigurt për fëmijët tanë.

    Përveç garave me biçikleta, sot u zhvilluan edhe aktivitete të tjera, të cilat lidhen me sigurinë në rrugë dhe janë pjesë e kampanjës ndërkombëtare #SaveKidsLives, si :

    - shpërndarja dhe nënshkrimi i Deklaratës së fëmijëve nga mbarë bota që është thirrje e tyre drejtuar të rriturve dhe institucioneve që të bëjnë më shumë për tu mundësuar atyre lëvizje te lire,

    - qytetarët do kenë mundësinë të shkruajnë një moto të shkurtë që lidhet me sigurinë në rrugë dhe të realizojnë fotografi, të cilat pastaj do postohen në faqen e kampanjës ne fjalë.

     

  • EDICIONI I TRETË I RIVISTËS SHKOLLORE ”SIGURIA NË RRUGË”-PJESA TEORIKE


    Prishtinë, 29 Maj 2015

    Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji në bashkëpunim me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli,  organizuan Edicionin e tretë të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”, i cili është aktivitet tradicional dhe përfshinë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta nga mbarë vendin, përzgjedhjen e të cilave e bënë MASHT-i. Aktiviteti është mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, Kumuna e Prishtinës dhe Forumi i Kosovës për siguri në rrugë.

    Komunat pjesëmarrëse për këtë vit, të cilat janë: Prishtina, Shtime, Drenas, Viti, Prizren, Kamenice, Novobërdë, Shtërpcë, Gjakovë dhe Malishevë.

    MASHT–i ishte vendi i cili mblodhi sot 47 nxënës nga 12 shkollat pjesëmarrëse, të cilët iu nënshtruan testimit teorik nga fusha e komunikacionit që qëllim kryesor ka inkuadrimin e nxënësve në programin e mësimit të rregullave elementare dhe shkathtësive të sjelljes në trafik.

    Nxënësit të cilët u treguan më të suksesshëm sot fituan të drejtën të marrin pjesë në garat me biçikleta, që nënkupton testimin e tyre në shkathtësitë teknike për ngasjen e biçikletës. Falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, është mundësuar që këtë vit garat të mbahen në Sheshin” Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me datë 04 Qershor 2015 duke filluar nga ora 10:00.

    Zhvillimi i aktiviteteve dhe plani i veprimit të përbashkët në rritjen e sigurisë në rrugë, janë kërkesë e planit global për dekadën e veprimit 2011-2020 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke qenë se këto aktivitete po organizohen për herë të tretë në Kosovë, konsiderojmë se bashkërisht kemi arritur të përmirësojmë sigurinë e lëvizjes në trafik.

     

     

     

     

  • TAKIM I FORUMIT TË KOSOVËS PËR SIGURI NË RRUGË


    Prishtinë, 14 Maj 2015

    Takimi i radhës i Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë është fokusuar në shpalosjen e aktiviteteve të zhvilluara në pesë mujorin e parë të vitit 2015 si dhe përgatitjet për organizimin e edicionit të tretë të garave me nxënës në shkallë vendi “Siguria ne rrugë”. Ky aktivitet tashmë tradicional zhvillohet nga Kolegji Tempulli në bashkëpunim me MASHT-in dhe përkrahet nga Forumi i Kosovës për sigurinë në rrugë.

    Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit nga Policia e Kosovës, MASHT, Tempulli, AMRKS, OSBE, Federata e Auto shkollave, Komiteti i Këshillit të prindërve, Asociacioni i Komunave të Kosovës, etj.

    Përveç temave të cilat ishin të caktuara, gjatë takimit kishte edhe diskutime dhe shkëmbime të ideve për zhvillimin dhe organizimin të aktiviteteve, të cilat në fokus të tyre kanë vetëdijesimin e qytetarëve për sigurinë në rrugë dhe njëkohësisht përpjekjet për përmirësim dhe rritjen e sigurisë rrugore.

  • AMRKS pranohet edhe në CIECA


    Prishtinë, 17 Mars 2015

    CIECA (The International Commission for Driver Testing) është Komisioni ndërkombëtar për autoritetet e testimit për shofer, e cila është aktive në fushën e sigurisë rrugore dhe testimin për shofer. Në vitin 2012, CIECA kishte 56 anëtarë në 36 vende në mbarë botën.

    Qëllimi CIECA 's është përmirësimi i standardeve të ngasjes, për të kontribuar në edukimin në trafikun rrugor, për të përmirësuar sigurinë rrugore, për të mbrojtur mjedisin dhe për të lehtësuar lëvizjen e mallrave në rrugë dhe transportit komercial dhe privat të udhëtarëve.

    Anëtarësimi i AMRKS në CIECA vjen pas anëtarësimit në ETSC dhe Global Alliance of NGOs for Road Safety. Ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për veprimtarinë e AMRKS sepse duke qenë antar i këtij Komisioni ndërkombëtar edhe në vendin tonë do të mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme për sigurinë rrugore sipas standardeve dhe udhëzimeve të CIECA-s.

    Anëtarësimi i AMRKS në CIECA përveç tjerash do të mundësojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërmjet anëtarëve, zhvillojë studime përkatëse dhe hulumtim në lidhje me arsimin e shoferëve, provimet dhe vlerësimet në provimet për patentë shoferë, etj

  • AMRKS pranohet në Aleancën Globale të OJQ-ve për Sigurinë në Rrugë


    Prishtinë, 10 Shkurt 2015

    Gjatë muajit Shkurt të këtij viti AMRKS zyrtarisht është pranuar si anëtare  në Aleancën Globale të OJQ-ve për sigurinë në rrugë, e cila është themeluar në vitin 2011 dhe sot  ka mbi 140 anëtar aktiv në 90 shtete të botës.

    Qëllim kryesor i saj është që organizatat nga mbarë bota të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe së bashku të kontribuojnë për sigurinë në rrugë dhe për të drejtat e viktimave si pasojë e aksidenteve rrugore.

    Aleanca siguron informacion edhe për aktivitetet e akterëve të tjerë me interes për sigurinë në rrugë, të tilla si : qeveritë, fondacionet, agjencitë ndër qeveritare, mediat, etj.

    Çdo dy vite organizohet edhe takimi i të gjitha organizatave anëtare, ku këtë vit takimi u mbajt gjatë muajit Mars në Marrakech  – Maroko dhe AMRKS mori ftesën zyrtare për pjesëmarrje.

  • Konferenca e II-të ndërkombëtare „Siguria në trafikun rrugor dhe sfidat e transportit në Evropën Juglindore (EJL)“


    Prishtinë, 22 dhe 23 Janar 2015

    Më datat 22 dhe 23 Janar 2015 në Prishtinë u organizua konferenca e II-të ndërkombëtare „Siguria në trafikun rrugor dhe sfidat e transportit në Evropën Juglindore (EJL)“. Kjo konferencë arriti të bashkojë në një vend institucionet dhe palët e interesit nga Kosova me ato të shteteve të Europës Juglindore.  Gjatë dy ditëve sa zgjati konferenca të pranishëm ishin afro 200 pjesëmarrës dhe 30 panelistë nga institucionet e vendit dhe të Evropës.

    Organizimi i konferencës edhe këtë vit  u mundësua nga AMRKS dhe Kolegji Tempulli, koordinuar nga IRU Academy dhe përkrahur nga Këshilli Evuropian për Siguri në Transport – ETSC.

    Në hapje të konferencës morën pjesë përfaqësues të niveleve të larta  të shtetit si  z. Ferid Agani Ministër i Planifikimit Hapsinor, Kryetari i  Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, drejtori ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimeve z. Faton Abazi. Njëkohësisht edhe përfaqësues nga rajoni si Maqedonia, Shqipëria dhe bashkëpuntorët ndërkombëtar nga  Austria, Franca, Zvicrra, Belgjika, Holanda.

    Temë kryesore e ditës së parë të konferencës ishte prezantimi i projektit SEED (South East Europe Development of Road Transport) sponzoruar nga BE, projekt që synon aftësimin dhe ngritjen e nivelit të aftësive teknike të instruktorëve që ofrojnë aftësim fillestar dhe periodik për shoferët profesionistë në rajonin e Evropës juglindore ne industrinë e transportit rrugor, si dhe njohjen e ndërsjellë të standardeve te kualifikimeve dhe kujdesin ndaj mjedisit. Pjesë e panelit në këtë ditë ishin ndër të tjerë edhe përfaqësuesit nga IRU Academy, Oda Ekonomike e Kosovës, Promotrans Group – Francë, AMERIT, Auto – Moto Association of Macedonia, Dekanët nga Kolegji Tempulli, UP, UPT.

    Kurse dita e dytë e konferencës  ishte e rezervuar për diskutim dhe shkëmbim të ideve në mes të specialistëve vendor dhe ndërkombëtar për përballjen me sfidat që  lidhen me sigurin rrugore, parandalimin e aksidenteve si dhe përmisimin e vazhdueshëm të infrastruktures rrugore, transportin, sigurimin e automjeteve, prezentimin e modeleve dhe zbatimin e sukseshem të aktiviteteve të ndryshme për sigurin në rrugë . Panelistët në ditën e dytë të konferencës ishin përfaqësuesit nga ETSC, Policia e Kosovës, MASHT, Ministria e Forcës së Sigurisë, Auto – Club Albania, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, Gjykata Themelore, OSBE, ICITAP, Qendra e Mjekësis Urgjente.

    Si pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe nënshkrimi i Memorandum bashkëpunimit me Auto Moto Association Macedonia - AMSM, që si qëllim kryesor ka shtrirjen e  aktiviteteve të përbashkëta  për siguri në rrugë.

    Në fund të konferencës dy ditore Z. Muhamed Krasniqi prezentoj edhe rekomandimet të cilat dolën nga konferenca. Këto rekomandime do dorëzohen tek institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, me qëllim të vetëm që të gjithë së bashku të punojmë për realizimin e tyre ashtu që të kemi një përmisim të sigurisë rrugore.

  • Takim përmbyllës për vitin 2014 i Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë


    Prishtinë, 24 Dhjetor 2014

    U mbajt takimi i radhës në mes të anëtarëve të Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë, i cili takim ishte njëherit edhe i fundit për këtë vit.

    Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga MASHT-i , Policia e Kosovës, Federata e Autoshkollave, Këshilli i nxënësve të Kosovës, AMRKS dhe Kolegji Tempulli.

    Çështjet të cilat u diskutuan ishin aktivitetet e FKSRR gjatë këtij viti si dhe planet për realizim gjatë vitit të ardhshëm,

    Anëtarët shprehën se ishin të kënaqur me të arriturat e deritashme dhe secili prej tyre dha propozimet për punën që duhet të realizohet më tutje.

  • KUJDES SE PO RRËSHQET - kampanja më e re për sigurinë në rrugë.


    Prishtinë, 02.12.2014

    Policia e Kosovës së bashku me Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS ka lansuar fushatën më të re informuese “Kujdes se po rrëshqet”, e cila ka për qëllim sensibilizimin e vozitësve dhe qytetarëve që gjatë stinës së dimrit të bartin pajisjet dimërore në mënyrë që t’u shmangen aksidenteve në komunikacionin rrugor.

    Policia e Kosovës tashmë ka edhe broshurat informuese në tri gjuhë të cilat do të ju shpërndahen ngasësve të automjeteve të vogla por edhe atyre transportuese. Ky aktivitet vjen pas suksesit të kampanjës së fundit përmes disa video spoteve me emrin ‘Mos e bjer punën deri këtu’.

    Ndër të tjera qëllimi i kësaj kampanje është ofrimi i informatave të nevojshme për përgatitjen e mjetit dhe marrjen e masave konkrete për një ngasje të sigurt edhe gjatë zezonës së dimrit prej 15 Nëntor deri më 15 Mars.

    Në këtë konferencë përveç zyrtarëve nga Policia e Kosovës, Kolonelit Ahmeti dhe zëdhënësit Kelani morën pjesë edhe përfaqësues të ARMKS dhe BKS (Byroja Kosovare e Sigurimeve), e cila ka përkrahur financiarisht edhe këtë aktivitet

  • AMRKS PRANOHET NE ETSC


    Bruksel 17 Tetor 2014

    Asociacioni Kosovar i Motorizimit- AMRKS zyrtarisht pranohet në ETSC (Europian Transport Safety Council). Në Bruksel ne selinë e ETSC u zhvillua takimi i nivelit më të lartë në mes të dy Asociacioneve respektive të Kosovës dhe Evropës. Drejtori ekzekutiv i ETSC z. Antonio Avenoso priti ne takim pune z. Muhamed Krasniqi nga AMRKS dhe e njoftoi lidhur me vendimin mbledhjes së Bordit të ETSC të mbajtur me datë 3 Shtator 2014 në Bruksel, që edhe Kosova ti bashkohet këtij Keshilli me qëllim që aktivitetet për sigurinë në rrugë në shkallë evropiane të zhvillohen edhe në Kosovë.

    z. Evenoso gjatë këtij takimi inkurajoi z. Krasniqi që të zhvillojnë sa më shumë aktivitete për sigurinë në rrugë me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë për të gjithë përdoruesit e rrugës. Në anën tjetër z. Krasniqi falenderojë nikoqirin e këtij takimi duke e ftuar që sa më shpejtë te realizojë një vizitë pune në Kosovë. Organizimi i këtij takimi vjen pas disa takimeve zyrtare në mes të antarëve ETSC dhe të të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë, të  realizuara në Shqipëri, Greqi dhe Belgjikë.

     

  • Zyrtarët e FIA-s për herë të dytë në Kosovë


    Prishtinë, 23 Shkurt 2014

    Në lokalet e Kolegjit Tempulli në Prishtinë është organizuar trajnimi i zyrtarëve të sigurisë për garat automobilistike në Kosovë.

    Pas organizimit të suksesshëm të garave automobilistike në vitin e kaluar, Federata e auto sporteve të Kosovës (FASK) , këtë vit ka filluar edhe me trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve  profesionale njerëzore, të cilët do të janë të gatshëm për të kontribuar në zhvillimin e këtij sporti në Kosovë sipas standardeve të FIA. Me ftesën e kryetarit të FASK-ut z. Ismet Rexhepi, në Prishtinë kanë arritur z. Ronan Morgan dhe z. Stuart Murray të cilët janë trajner Institutit të FIA-s nga sektori i trajnimit dhe edukimit te klubit automobilistik dhe turistik te Emirateve të Bashkuara Arabe.  Trajnimi i sotëm tubojë përfaqësues dhe garues nga autoklubet e Kosovës. Të pranishmëve në fillim mirëseardhje ju dëshirojë Kryetari i FASK-ut z. Rexhepi dhe z. Muhamed Krasniqi nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit AMRKS. Organizimi i kësaj ngjarje është pjesë e aktiviteteve të filluara me herët me qëllim të kompletimit dhe plotësimit të kushteve për anëtarësim të FASK-ut në FIA. Të pranishmit gjatë këtij trajnimi patën mundësi të njihen me ekspertizën e trajnerëve mysafir të cilët për mrekulli kanë prezantuar kushtet dhe rregulloret ndërkombëtare për organizimin e garave në të gjitha kategoritë. Përvoja e trajnerëve ishte mjaftë interesante dhe ka zgjuar kureshtjen e pjesëmarrësve të cilët morën pjesë aktive në temat e diskutuara. Mysafirët po ashtu janë ndarë të kënaqur me nivelin e organizimit të trajnimit por edhe me ambiciet reale të zyrtarëve të FASK-ut për rrugën drejt ndërkombëtarizimit të këtij sporti me pjesëmarrjen e garuesve të Kosovës në regjion dhe kudo në botë.

    Organizimi i kësaj ngjarje u mbështet edhe nga dashamirë tjerë të këtij sporti në vendin tonë.

  • AMRKS shënon Marrëveshjen e dytë ndërkombëtare në zhvillimin e aktiviteteve për sigurinë në rrugë


    Prishtinë, 23 Janar 2014

    Kësaj radhe marrëveshja u bë me Connect SEE nga Austria, e cila është një organizatë ndërkombëtare, e themeluar në Vjenë të Austrisë në Nëntor të vitit 2013. Kësaj marrëveshja i kanë para prirë takimet e zhvilluara në Shqipëri gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, në mes të udhëheqësve dhe disa antarëve të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë dhe zyrtarëve austriak.  Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është që të sigurojë një kornizë për një angazhim të vazhdueshëm në fushën e sigurisë së komunikacionit, transportit dhe logjistikës në Evropën Juglindore. Kjo do të arrihet duke ruajtur dhe duke rritur mundësitë teknike dhe shkëmbimin profesional, me anë të një programi të vazhdueshëm të bashkëpunimit.

    Në përputhje me qëllimin e përbashkët, të dy organizatat bien dakord të përpiqen të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për interes të ndërsjelltë, sikurse janë:

    Kontakti i rregullt që të krijohet midis dy organizatave, me qëllim për të institucionalizuar dhe për të ruajtur marrëdhëniet dhe angazhimin e vazhdueshëm për të adresuar çështje të interesit të përbashkët;

    Aktivitetet e përbashkëta kërkimore;

    Shkëmbimi i materialeve, publikimeve dhe informacionit në fushën e sigurisë rrugore;

    Organizimi dhe pjesëmarrja në ligjërata, konferenca dhe aktivitete të tjera;

    Temat e aktiviteteve të përbashkëta, kushtet për shfrytëzimin rezultatet e arritura dhe masat për vizita të veçanta, shkëmbimeve dhe forma të tjera të bashkëpunimit.

  • Konferenca Ndërkombëtare “Siguria në rrugë dhe rruga për BE”


    Prishtinë, 23 Janar 2014

    Konferenca Ndërkombëtare “Siguria në rrugë dhe rruga për BE” e mbajtur javën e kaluar në Prishtinë, saktësisht me datat 22 dhe 23 Janar 2014, mblodhi rreth 100 pjesëmarrës nga vendi, regjioni dhe Evropa. Përgjatë dy ditëve nga folësit e konferencës në katër panele të ndara, janë diskutuar aspekte profesionale të lidhura me sigurinë në rrugë, trafikun dhe transportin.

    Në Konferencë me fjalimet dhe prezantimet e tyre kanë kontribuar përfaqësues të institucioneve përkatëse vendore dhe ndërkombëtare. Nga institucionet qeveritare janë përfaqësuar (në nivel zv. ministrash), Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në emër të Ministrit të MASHT-it, foli shefi i kabinetit të kësaj Ministrie. Nga institucionet tjera nga vendi morën pjesë Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë, Byroja Kosovare e Sigurimeve, Kompanitë nga industria e sigurimeve në Kosovë, Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës, Kolegji Tempulli, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës, Asociacioni Kosovar i Motorizimit-AMRKS, Federata e Auto Shkollave të Kosovës, Këshilli i nxënësve të Kosovës, Këshilli i mësimdhënësve të Kosovës, etj.

    Institucionet ndërkombëtare të akredituara në Prishtinë, zyra e BE-së, Ambasada e Austrisë, OSBE, ALBACH, ICITAP.

    Pjesëmarrës nga regjioni ishin Këshilli Kombëtar për Sigurinë Rrugore i Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë, Qendra e akredituar nga IRU Academy, AMERIT nga Republika e Maqedonisë, Asociacioni i sigurimeve nga Shqipëria, Auto Klubi Shqiptar nga Shqipëria, Universiteti Teknik i Vjenës, Këshilli për Siguri në Rrugë i Austrisë (KFV), TUV Austria, Asociacioni Promotrans nga Franca, Lidhja Auto Moto e Sllovenisë (AMZS), IRU-Akademia ndërkombëtare e transportit nga Zvicra, SPMUDA International, etj.

    Konferenca kishte një agjendë mjaftë të ngjeshur ku me diskutimet dhe prezantimet e tyre kontribuan 27 folës, 11 nga vendi dhe 16 nga regjioni dhe Evropa. Pas diskutimeve gjatë konferencës janë dhënë edhe rekomandimet përmbyllëse, të cilat do të ju dërgohen institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që janë përgjegjëse ose mund të kontribuojë në sigurinë rrugore, trafikun dhe transportin.

    Gjatë kësaj konference përfaqësuesi i KFV (Këshilli për Siguri në Rrugë i Austrisë) profesori Hauger, nënshkroi Marrëveshje të bashkëpunimit, në emër të CSE (Connect South East) me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli dhe me Asocianionin Kosovar të Motorizimit AMRKS.

    Më poshtë mund të gjeni prezentimet nga konferenca.

    Blagoja_Jovanovski_-_IRU_Academy_Swiss.pdf

    Brane_Legan_-_AMZ_Slovenia.pdf

    Brunilda_Noka_-_KSHSSRR_Albania.pdf

    Eno_Zeneli-_Automobile_Club_Albania-ASA_ARSF-Albanian.pdf

    Georg_Hauger_-_KFV_Austria_Road_Safety_Board.pdf

    Ilir_Mehmedi_-_WATEN-Macedonia.pdf

    Jeton_Rexhepi_-_Kosovo_Police.pdf

    Mile_Dimitrovski_-_Macedonian_Republic_Council_of_Road_Traffic_Safety.pdf

    Musli_Bajraktari_-_University_of_Prishtina.pdf

    Procopios_Papagkikas_-_George_Kokkinos_-_TUV_Austria-presentation.pdf

    Sheremet_Ahmeti_-_Kosovo_Police.pdf

    Valerie_Herve_-_VET_Project_Development_France.pdf

  • Bashkëpunimi Kosovë - Shqipëri shtrihet edhe në Sigurinë Rrugore


    Tiranë, 13 Nëntor 2013

    Në Tiranë u zhvillua tryeza e rrumbullakët mbi sigurinë rrugore “Multi stakeholder round table on road safety in Albania” ku të pranishëm ishin Zv. Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë z. Ilir Mustafaraj, drejtori i Policisë rrugore z. Ervin Hoxha, kompanitë shqipëtare të sigurimit, përfaqësuesi i organizatës botërore të shëndetësisë në Tiranë, z. Francois Begeot përfaqësues i Delegacionit Evropian për transportin në Shqipëri, si dhe delegacioni nga Kosova me përfaqësues nga Policia e Kosovës, ICITAP, MASHT, MPB, Kolegji Tempulli, AMRKS, OSBE dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve në Kosovë. Takimi ishte konstruktiv dhe i vlefshëm në shkëmbimin e informacioneve dhe eksperiencave midis dy shteteve tona.  Ky event u finalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë të përfaqësuar nga z. Muhamed Krasniqi dhe Këshillit Shqiptarë të Sigurisë Rrugore të përfaqësuar nga znj. Fitnete Sulaj.

  • U mbajt konferenca “Nxënësit dhe siguria e tyre në rrugë”


    Prishtinë 10 Tetor 2013

    Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ata të Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike "Tempulli", kanë vlerësuar se çështja e ngritjes së njohurive të nxënësve rreth shenjave të komuniacionit, do të duhej shtuar në përmbajtje kurrikulare.

    Në konferencën "Nxënësit dhe siguria e tyre në rrugë", organizuar nga Forumi për Siguri në Rrugë, në bashkëpunim me MAShT-in dhe Kolegjin Tempulli janë shpalosur rezultate të hulumtimit të zhvilluar në 40 Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë, ku është vërejtur një gjendje jo e mirë e përvetësimit të njohurive teorike dhe e zhvillimit të mësimit praktik sa u përket rregullave dhe sjelljes në rrugë.

    Këshilltari i ministrit Buja, Ragip Gjoshi, ka thënë se siguria në rrugë është jo vetëm projekt, por edhe synim strategjik i Ministrisë së Arsimit, që është projektuar në të gjitha dokumentet strategjike.

    Këshilltari Gjoshi theksoi se ky aktivitet ka nxjerrë në spikamë faktin se duhet shtuar në përmbajtje kurrikulare lëndë mësimore, të cilat ofrojnë informacione rreth shenjave të komunikacionit.

    Sipas Gjoshit, nga konferenca e sotme dalin detyra të reja për të gjitha institucionet e përfshira në çështjen e sigurisë së fëmijëve në rrugë. "Ministria e Infrasrukturës do të duhej të shtonte kujdesin për shenjëzimin vertikal dhe horizontal në rrugë dhe pajisjen me shenja të trafikut, si faktorë të rëndësishëm në parandalimin e aksidenteve. Pastaj, Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të shtonte kontrollin dhe gjobitjen e shkelësve të rregullave të trafikut, ndërsa MAShT do të bëj më shumë në edukimin e nxënësve në çështjen e zbatimit të rregullave të komunikacionit".

    Ndërkaq, drejtori i Kolegjit Tempulli, Muhamed Krasniqi theksoi se vetë titulli i konferencës "Nxënësit dhe siguria e tyre në rrugë" bënë të qartë se hulumtimi ka në fokus çështjen e lëvizjes dhe sjelles së fëmijëve kur ata janë në rrugë gjatë shkuarjes dhe kthimit nga shkolla.

    Sipas Krasniqit, përmes këtij hulumtimi është bërë vlerësimi i njohurive të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, në njohjen e shenjave të komunikacionit.

    Ndryshe, nxënësve të përfshirë në këtë aktivitet u janë shpërndarë tabela me shenja të komunikacionit, ku ekspertë të komunikacionit kanë përpiluar teste varësisht nga mosha e tyre. Në këtë aktivitet janë përfshirë mbi 2210 nxënës nga mbarë vendi.

    Me qëllim të mbarëvatjes së aktiviteteve në shkolla, nxënësit janë ndarë në tri grupe, grupi i parë klasat 1-3, grupi i dytë klasat 4-6 dhe grupi i tretë klasat 7-9. Me qëllim të shtrirjes së projektit në tërë vendin, në secilën komunë është përzgjedhur së paku nga një shkollë.

    Projekti ka filluar së zbatuari në mars të këtij viti dhe synon të vazhdojë edhe më tej, me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të shkollave në këtë projekt.

Abonohu per Newsletter

M
F

Moti

13º C Prishtinë
21º C Pejë
13º C Prizren
13º C Gjilan
13º C Mitrovicë
13º C Ferizaj
20º C Tiranë
15º C Shkup
Kontakti

AMRKS

Bregu i Diellit, Zona e Jugut,

Objekti 1/1, Lokali A

10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Email: info@amrks.org

www.amrks.org