Fokusi i këtij viti është te historitë që fillojnë me fjalët “ATË DITË” – momentet e tmerrshme që ndryshuan gjithçka për viktimat, familjet dhe të dashurve të tyre. Secili ka një histori, një kujtim të pashlyeshëm që do të mbetet në zemrat e të afërmve, të miqve dhe dhe të dashurve të tyre.

Kjo është një thirrje për të shikuar përtej numrave dhe për të kuptuar realitetin emocional të humbjeve të pashlyeshme.

Çdo viktimë është një jetë e shkatërruar, dhe kjo është një mundësi për të treguar që ne kujtojmë dhe ndihmojmë për të ndryshuar këtë rrugë që çon drejt tragjedive.

Është një apel për ndryshim – një apel që na kujton se veprimet tona mund të shpëtojnë jetë dhe mund të ndihmojnë në ndalimin e këtij tmerri.

Ftojmë institucionet, organizatat, mediet dhe shoqerinë që të mbështesin aktivitetet, duke përdorur materialet dhe posterët zyrtar të Kosovës.

Materialet promovuese janë realizuar sipas standardeve dhe udhëzimeve ndërkombëtare të World Day of Remembrance, për shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Aksidentet e Trafikut Rrugor.

Këto aktivitete do të organizohen nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit AMRKS, si anëtar i rregullt i FEVR-it dhe TEMPULLI.

Aktivitetet e #WDoR2024 do të mbahen nga data 13 deri më 17 nëntor 2024, sipas kalendarit të mëposhtëm, i regjistruar në kalendarin zyrtar të WDoR-së:

✓ 13 nëntor 2024, ora 14:00 – Lansimi i aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Aksidentet e Trafikut Rrugor, (Tempulli);
✓ 14 nëntor 2024, ora 14:00 – Tryezë diskutimi me përfaqësues institucionesh dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile me temën “Të rinjtë dhe siguria e tyre në rrugë”, (Tempulli);
✓ 17 nëntor 2024, ora 17:00 – Ndezja e qirinjve për të gjitha viktimat e aksidenteve në trafik, (Para Teatrit Kombetar, qyteti i Prishtines).