TAKSA RRUGORE

Kushtet dhe procedurat për pagesën e taksave rrugore për të gjitha automjetet e huaja si dhe pajisjen me leje përkatëse të transportuesve të cilët nuk e kanë selinë në Kosovë.

Të hyrat nga tarifat dhe taksat rrugore dhe ekologjike për automjetet që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, sipas Nenit 81, të Ligjit për transportin rrugor nr. 2004/1 si dhe Nenit 5 të Ligjit për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve Nr. 0/L-117, derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Kompetenca e inkasimit të taksës ka bazë ligjore në pikën 2 të Nenit 6, të Ligjit për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve Nr. 0/L-117.

Inkasimin e taksave dhe tarifave tjera për operatorët transportues dhe automjetet e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, bazohet në çmimet e caktuara me akte ligjore dhe nën ligjore të cilat janë në fuqi.

OPERATORI I HUAJ PËR MARRJEN E LEJES TË POSAÇME DO TË PAGUAJ SI VIJON:

Për automjetin e ngarkuar mbi 3.5 t deri në 12 t ——————- 50 €,

Për automjetin e ngarkuar mbi 12 t —————————— 100 €,

Kompensimin për transport të jashtëzakonshëm në rrugët magjistrale dhe regjionale të Kosovës sipas UA Nr. 2005/5 të MI-së.

OPERATORI I HUAJ PËR MARRJEN E LEJES TRANSITE DO TË PAGUAJ SI VIJON:

Për automjetin bosh mbi 3.5 t deri në 12 t ————————– 20 €,

Për automjetin e ngarkuar 3.5 t deri në 12 t ————————   30 €,

Për automjetin bosh mbi 12 t ———— ————————- 40 €,

Për automjetin e ngarkuar mbi 12 t ——————————— 50 €,

Kompensimin për transport të jashtëzakonshëm në rrugët magjistrale dhe regjionale të Kosovës sipas UA Nr. 2005/5 të MI-së.

Leja bilaterale lëshohet në bazë të marrëveshjes bilaterale.

(theksime nga Ligji për sigurinë në komunikacion rrugor 02/L-70 sipas ueb faqes zyrtare www.mi-ks.net)

TAKSA EKOLOGJIKE

Taksa ekologjike për veturat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, inkasohet me rastin e kalimit të automjetit në kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës, apo në ndonjë moment tjetër kohor të përcaktuar nga Ministri  i Financave përmes akteve nënligjore.

Pagesa e taksës ekologjike për automjetet e huaja, sipas shtojcës C të Ligjit për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve Nr. 0/L-117 është si vijon:

Për automjetin nën 3.5 t ——————————————– 10 €,

Për automjetin 3.5 t dhe mbi 3.5 t ———————————— 30 €,

TAKSAT TJERA NË KOSOVË

Politika tatimore në Kosovë është e orientuar drejt rregulloreve të thjeshta të cilat sigurojnë bazë të gjerë tatimore dhe parandalojnë evazionin tatimor. Tatimet dallojnë në bazë të formës së biznesit dhe qarkullimit vjetorë.

Administrata tatimore aplikon tri regjime kryesore të tatimeve:

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh)

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave (TAK)

Tatimi në të Ardhurat Personale (TAP)

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR (TVSH) – Tatimi kryesorë në Kosovë është Tatimi mbi vlerën e shtuar TVSH-ja e cila paguhet për mallra dhe shërbime. Norma e këtij tatimi është fikse prej 16% për të gjitha mallrat pa marrë parasysh origjinën e tyre dhe 0% për mallrat të cilat i dedikohen eksportit. Bizneset që kanë qarkullim vjetorë prej 50000 € duhet të regjistrohen për TVSH. Sa i përket importit periudha për pagesën e TVSH-së është 6 muaj dhe kjo mblidhet në kufijtë administrativë të Kosovës.

TATIMI NË TË ARDHURAT E KORPORATAVE – Ky tatim paguhet çdo tre muaj varësisht nga qarkullimi vjetorë. Norma e tatimit në korporata me qarkullim vjetorë mbi 50,000€ është 10%.

TATIMI MBI TË ARDHURAT PERSONALE – Ky lloj tatimi aplikohet në të ardhura nga paga, biznesi, qiraja, interesi, pasuria e patundshme etj. Normat tatimore të tatimit në të ardhura personale nga paga janë normal progresive duke u bazuar në lartësinë e pagës së fituar dhe njëherit norma më të ulëta në regjion dhe në shtetet e UE.

Normat tatimore janë:

– 0% deri në 960 euro/vit

– 4% mbi 960 dhe 3000 euro/vit

– 8% mes të 3001 dhe 5400 euro/vit

– 10% mbi 5400 euro/vit

TATIMI I PARAGJYKUAR – Ky lloj tatimi paguhet nga të gjitha bizneset individuale me qarkullim vjetorë më pak se 100.000 euro.

KONTRIBUTI PENSIONAL – Përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e llogarive individuale për kursimin e pensionit është Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.Ky tatim obligon të punësuarin por edhe punëdhënësin të kontribuojnë në financimin e pensioneve të punësuarit me normë prej 5% të pagës nga ana e të punësuarin dhe 5% nga ana e punëdhënësit.

(theksime sipas ueb faqes zyrtare të Ministrisë së Financave www.mf.rks-gov.net)

TARIFAT DOGANORE

Dogana e Kosovës jep kontributin e tij në çështjet ekonomike dhe çështjet e sigurisë. Mbledhja e taksave doganore si Taksat doganore, Tatimi mbi vlerën e shtuar, Akcizën derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës duke ndihmuar kështu zhvillimin ekonomik të shtetit. Gjithashtu Shërbimi Doganorë kontrollon importimin dhe eksportimin duke mundësuar mbrojtjen e ekonomisë si dhe mbrojtjen e markave tregtare, dhe gjeneron statistika të sakta për tregtinë e jashtme.

Dogana e Kosovës është e gatshëm që të përkrahë të gjithë investitorët potencial. Kjo përkrahje ju ofrohet atyre që të përfitojnë procedura më të lehta dhe më të shpejta për import.

TARIFAT DOGANORE NË KOSOVË QË I PËRKET IMPORTI JANË:

– 0% për mallrat që importohen nga vendet e CEFTAs,

– 10% për mallrat që importohen nga të gjitha shtetet tjera,

– 16% tatimi mbi vlerën e shtuar,

– Taksa e akcizës variabile për produkte si: duhani, nafta, alkoholi, etj.

PAS NDRYSHIMEVE TË BËRA NË SISTEMIN DOGANORË ËSHTË BËRË REDUKTIMI I TARIFAVE DOGANORE PËR:

– mjetet kapitale (themelore),

– lëndët e para për agrobiznes dhe disa sektorë tjerë të prodhimtarisë,

– lëndëve të ndërmjetme për procesim të mëtutjeshëm nga 10% në 0%, si dhe janë hequr detyrimet -doganore për:

1.naftën dhe produktet e naftës,

2.grurin dhe misrin.

TË LIRUARA NGA TARIFAT DOGANORE JANË:

– Plehrat artificial,

– Prodhimet farmaceutike,

– Instrumentet dhe aparatura kirurgjike,

– Mallrat për qëllime humanitare,

– Mallrat që përdoren nga diplomatët e huaj dhe misionet konsulare.

– KFOR-I,

– UNHCR,

– Kryqi i Kuq Ndërkombëtar,

OJQ-të  e regjistruara të UNMIK-ut që kanë qëllim mbështetjen e programeve dhe projekteve, humanitare dhe rindërtuese në Kosovë.

Sa i përket sigurisë Dogana e Kosovës lufton aktivitetet ilegale, rritë sigurinë përmes prezencës në pikat kufitare duke luftuar krimin kufitar. Një prej hapave që ka ndërmarr Dogana e Kosovës për luftimin e krimit është aplikimi i sistemit banderolë mbi alkoolin dhe duhanin çka ndihmon në zvogëlimin e kontrabandimit të këtyre produkteve.

Po ashtu edhe hapi tjetër për luftimin e krimit është edhe Qendra Operative e cila punon pandërprerë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Prej kësaj qendre bëhet edhe monitorimi i sistemit të kamerave CCTV i cili është i vendosur në të gjitha pikë kalimet zyrtare të Republikës së Kosovës. Në kuadër të Qendrës Operative funksionon edhe linja konfidenciale në të cilën të gjithë qytetarët mund të lajmërojnë 24 orë në ditë mbi çfarëdo informate që do të ndihmoj në luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës. Numri konfidencial i Shërbimit Doganor është 038/500 095.

Abonohu për më të rejat nga ne!
-
Subscribe for our latest news!