Ministria e Infrastrukturës dhe AMRKS nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për përmirësimin e gjendjes së Sigurisë Rrugore
Prishtinë, 13 Prill 2018
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në rrugë por edhe të sensibilizimit dhe ngritjes së nivelit të sigurisë në trafikun rrugor në Kosovë, themeluesi i AMRKS-së z. Muhamed Krasniqi së bashku me disa përfaqësues të Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë u pritën në takim pune nga Ministri i Infrastrukturës z. Pal Lekaj.
Përveç diskutimit në mes të palëve për gjendjen e sigurisë rrugore në vend dhe hapat konkret që do të ndërmerren, u nënshkrua edhe Marrëveshje e Bashkëpunimit.
Ministri Lekaj theksoj vizionin dhe politikat zhvillimore të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat përveç ndërtimit të infrastrukturës rrugore Ministria e Infrastrukturës ka marrë për obligim që të krijojë standard edhe në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por edhe në sinjalistikë dhe ndriçim, të cilat me të vërtetë i kanë munguar rrugëve tona.
Në anën tjetër z. Krasniqi theksoj se objektiv kryesor i kësaj marrëveshje është zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë rrugore në Kosovë, parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë.
Sipas tij, aktivitetet e parapara sipas kësaj marrëveshje të bashkëpunimit janë në harmoni të plotë me planin e veprimit të përbashkët në rritjen e sigurisë në rrugë dhe janë kërkesë e planit global për dekadën e veprimit 2011-2020 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara por edhe kusht i domosdoshëm për rrugën e Kosovës drejt integrimeve në BE-së. Kurse, bashkëpunimi institucional në aktivitete për sigurinë në rrugë sigurisht që do të ndryshojë edhe gjendjen në terren sa i përket sigurisë të qytetarëve në trafik, të cilën që nga vitit 2010 e tutje Raporti i progresit i Komisionit Evropian e paraqet si shqetësuese.
Majori Jeton Rexhepi theksoj se Policia e Kosovës është një ndër akterët kryesor në deklaratën për shpalljen e vitit 2018 si vit i sigurisë rrugore dhe sipas tij institucionalisht janë të angazhuar për arritjen e realizimit të gjitha pikave të deklaratës në fjalë.
Në përfundim të këtij takimi, të gjitha palët u pajtuan se bashkëpunimi institucional dhe zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e sigurisë rrugore në Kosovë, parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë.