Kosova edhe këtë vit është pjesë e Javës së 6-të Globale të Sigurisë Rrugore

Me kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vit do të shënohet Java e Gjashtë për Siguri Globale Rrugore e Kombeve të Bashkuara, ku pjesë e aktiviteteve është edhe Kosova..

Bashkohuni me ne në festimin e Javës së 6-të Globale të Sigurisë Rrugore të Kombeve të Bashkuara që sivjet shënohet me temën Streets for Life #Love30. Java me aktivitetet zyrtare do të mbahet nga data 17 deri më 23 maj 2021.

Rrugët me shpejtësi të ulët shpëtojnë jetë dhe janë zemra e çdo komuniteti. Kufizimet e shpejtësisë të lëvizjes në 30 km/h, krijojnë siguri për të gjithë duke qenë rrugë të sigurta, të shëndetshme, të gjelbërta dhe të jetueshme, me fjalë të tjera, rrugë për jetën. Ne po u bëjmë thirrje politikë bërësve të veprojnë për rrugë me shpejtësi të ulët në vendin tonë, duke kufizuar shpejtësinë e lëvizjes në 30 km/orë, ku njerëzit ecin, jetojnë, luajnë sigurt dhe lirshëm.
Bashkohuni me fushatën #Love30 për të kërkuar kufizime të shpejtësisë në 30 km/h, duke qenë norma zyrtare e lejuar për lëvizjen e mjeteve në qytete, qyteza dhe fshatra në tërë vendin tonë.

Në përgatitje të shënimit të kësaj Jave, ne jemi të lumtur të njoftojmë se faqja në internet e kësaj fushate është www.amrks.org dhe po ashtu mund të na gjeni në rrjetet tona sociale të cilat përmbajnë një pako me postera të fushatës, me fotografi, ide dhe mënyra të shumta se si mund të përçojmë mesazhin e përbashkët te të pjesëmarrësit në rrugë, i cili do të bëhet zëri i sigurisë në rrugë. Ju ftojmë të bashkëpunojmë që sikurse herëve tjera edhe kësaj radhe ta bëjmë Kosovën model në regjion e më gjerë me aktivitete të cilësore në festimin e Javës së 6-të Globale të Sigurisë Rrugore.

Java e 6-të Globale e Sigurisë Rrugore e Kombeve të Bashkuara do të ndihmojë në krijimin e vrullit për fillimin e Planit Global për Dekadën e Veprimit për Sigurinë Rrugore 2021-2030 ku shpresojmë që edhe ju të mbështesni të gjitha aktivitetet për një siguri më të madhe në rrugë.

Le të punojmë së bashku për ta bërë Javën një sukses të madh!

Për informacione të mëtejshme, kontaktoni info@amrks.org

Ekipi kombëtar i Javës së Sigurisë Rrugore në Kosovë.