Nis fushata “Siguria fillon me ty” nga AMRKS

Asociacioni Kosovar i Motorizimit – AMRKS, me përkrahjen e Kolegjit Tempulli si partner akademik dhe të Institutit për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport si partner shkencor, ka nisur një fushatë informuese kombëtare me qëllim rritjen e vetëdijes së qytetarëve për sigurinë në rrugë dhe sjelljen e duhur në kushte të vështira atmosferike dhe situata emergjente.

Fushata, e titulluar “Siguria fillon me ty”, është konceptuar mbi një simbolikë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme për qytetarët:
java ka 7 ditë, muaji ka 4 javë dhe siguria është çdo ditë.

Në këtë frymë, AMRKS ka strukturuar fushatën në katër javë tematike, ku për secilën javë publikohen 7 këshilla apo udhëzime praktike, të fokusuara në katër grupe dhe situata kryesore të sigurisë:

  • Java e parë: 7 këshilla për ngasje të sigurt gjatë dimrit
  • Java e dytë: 7 këshilla për këmbësorët gjatë ecjes në kushte dimri
  • Java e tretë: 7 këshilla për ngasje në kushte me shi dhe prani të ujërave në rrugë
  • Java e katërt: 7 udhëzime për evakuim në raste të vërshimeve, bazuar në standarde ndërkombëtare të emergjencave

Kjo qasje synon që çdo ditë e javës të sjellë një mesazh të qartë, praktik dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë, duke e bërë fushatën të vazhdueshme, të strukturuar dhe lehtësisht të ndjekshme nga publiku.

Fushata “Siguria fillon me ty” përfshin një seri publikimesh digjitale me udhëzime dhe këshilla konkrete për qytetarët, me qëllim informimin dhe edukimin e publikut për rreziqet që paraqesin kushtet e pafavorshme të motit, si dhe promovimin e sjelljes së përgjegjshme në trafik dhe gjatë situatave emergjente.

AMRKS thekson se respektimi i këtyre udhëzimeve kontribuon drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve, zvogëlimin e pasojave në raste emergjente dhe rritjen e sigurisë së përgjithshme në komunitet.

Fushata do të zhvillohet përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve digjitale të AMRKS, Kolegjit Tempulli dhe Institutit për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport.

Per informata shtese:

Kastriot Shabiu, 045903903

info@amrks.org dhe info@tempulli.org