Vizite pune në Qendrën e Drejtimit të Sigurt në Slloveni

Vransko, Slloveni 23 Maj 2022

Realizohet vizita e dytë zyrtare në ambientet e Qendrës së Drejtimit të Sigurt AMZS në Vransko të Sllovenisë. Interesimi për të thelluar më tutje bashkëpunimin institucional të filluar qysh para dhjetë viteve ishte arsyeja e vizitës në këtë qendër të ngasjes së sigurt, të projektuar për të ofruar trajnime në kushte të sigurta, për drejtuesit e veturave të pasagjerëve, mjeteve me përparësi kalimi, automjeteve komerciale, autobusëve dhe motoçikletave. Gjatë takimeve është diskutuar për bashkëpunimin  e mundshëm në trajnimet bazë dhe të avancuara për të përmbushur nevojat e pjesëmarrësve të çdo niveli aftësie. Duke qenë se të dyja qendrat e trajnimeve (Tempulli dhe AMZS) kanë trajnerë dhe instruktorë të kualifikuar, ndërsa qendra e ngasjes së sigurt në qendrën AMZS në Vransko, ka edhe pajisje teknike të avancuara është diskutuar për larmi bashkëpunimesh në trajnime të ndryshme profesionale. Kjo qendër është ndërtuar në linjën e qendrave të ngjashme në Austri dhe Gjermani, dhe është në përputhje me standardet më të larta evropiane, duke përmbushur kërkesat legjislative ndërkombëtare. Me ftesën e profesor Muhamed Krasniqit, së shpejti pritet të realizohet një vizitë pune në Kosovë, e përfaqësuesve të kësaj qendre.