Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë

Kosova aktualisht nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, pasi neni 4.2 i Kushtetutës së Këshillit të Byrove thekson se një byro e cila synon të anëtarësohet në Këshillin e Byrove, duhet të jetë byroja e një shteti i cili është i njohur ndërkombëtarisht dhe është i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Motoristët e mjeteve kosovare të cilët dëshirojnë t’i kalojnë kufijtë, si dhe motoristët të cilët dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me sigurim kufitar.

Ky është shpjegimi zyrtar i dhënë nga Këshilli i Byrove të Kartonit të Gjelbër lidhur me rastin e Kosovës. Ky shpjegim mund të gjendet në faqen e internetit të këtij këshilli, www.cobx.org, gjegjësisht në këtë link.

Departamenti i Sigurimit Kufitar të Autopërgjegjësisë (DSKA) është pjesë e strukturës organizative të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ky departament merret me shitjen e policave kufitare të autopërgjegjësisë (TPL). Këto polica lëshohen për të gjitha automjetet me tabela të huaja, gjatë hyrjes dhe qëndrimit të tyre në Kosovë.

Tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë janë unike dhe aplikohen sipas llojit të automjeteve. Që nga data 26.12.11 BKS aplikon tarifa të veçanta të sigurimit kufitar me Republikën e Serbisë. Njëashtu nga data 01.07.12 BKS aplikon tarifa të veçanta të sigurimit kufitar me Republikën e Malit të Zi.

Departamenti i Sigurimi Kufitar të Autopërgjegjësisë i ka pikat e shitjes në të gjitha pikat hyrëse (pikat kufitare) të Kosovës ku shitet ky lloj sigurimi. Po ashtu, shitja e policës së sigurimit bëhet edhe në Prishtinë, në zyrat qendrore të BKS-së.

Ekzistojnë gjithsej 13 pika të tilla të shitjes së policave kufitare:

Pika e shitjes në Prishtinë – zyrat qendrore të BKS-së

Pika e shitjes në Podujevë – Merdar

Pika e shitjes në Mitrovicë

Pika e shitjes në Glloboçicë

Pika e shitjes në Hanin e Elezit

Pika e shitjes në Prizren – Vërmicë

Pika e shitjes në Pejë – Kullë

Pika e shitjes në Gjakovë – Qafë Morinë dhe Qafë Prush

Pika e shitjes në Kamenicë – Dheu i Bardhë

Pika e shitjes në Gjilan – Muqibabë

Pika e shitjes në Mutivodë

Pika e shitjes në Leposaviq – Jarinjë

Pika e shitjes në Zubin Potok – Bërnjakë

Për policën kufitare të sigurimit të autopërgjegjësisë

1. Çka është sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë?

Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë është sigurim, i cili është i obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Arsyet për blerjen e këtij sigurimi janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër i cilit do shteti në botë nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, shtete me të cilat Kosova ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për njohje reciproke të sigurimeve.

2. Çka mbulon sigurimi kufitar?

Sigurimi kufitar i mbulon të gjitha dëmet ndaj palëve të treta, të cilat shkaktohen nga pronarët e mjeteve motorike me tabela të huaja që kanë sigurim të vlefshëm kufitar. Ky sigurim nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në automjetin e shkaktarit të dëmit, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur (N/N ose godit dhe ik), dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, vetërrokullisja, kafshët në rrugë etj.

3. Në rast të aksidentit në trafik, ku duhet të lajmërohet poseduesi i sigurimit kufitar valid?

Në rast të aksidentit për të cilin poseduesi i sigurimit kufitar nuk është shkaktar (fajtor), atëherë poseduesi i sigurimit kufitar fillimisht duhet ta lajmërojë Policinë e Trafikut dhe pastaj ta adresojë kërkesën e tij për kompensim të dëmit te kompania e sigurimit në të cilën është i siguruar, e që mund të jetë secila nga kompanitë e sigurimit e licencuar për të operuar në tregun e sigurimeve në Republikën e Kosovës.

4. Kush do t’ia kompensojë dëmin poseduesit të policës kufitare të sigurimit, nëse shkaktari nuk ka sigurim?

Në rastin kur shkaktari i një dëmi nuk ka sigurim valid ndaj palëve të treta, dëmin e shkaktuar e mbulon Fondi i Kompensimit sipas dispozitave ligjore në fuqi. Në raste të tilla, pala e dëmtuar, respektivisht poseduesi i sigurimit valid kufitar, duhet të paraqitet pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit, për të bërë fotografimin e mjetit motorik të dëmtuar, si dhe për të plotësuar kërkesën për kompensim të dëmit.

5. Kush do t’ia kompensojë dëmin poseduesit të policës kufitare të sigurimit nëse edhe shkaktari posedon sigurim valid kufitar?

Edhe në raste të tilla, dëmin do ta kompensojë Fondi i Kompensimit sipas dispozitave ligjore në fuqi. Pala e dëmtuar, respektivisht poseduesi i sigurimit valid kufitar, duhet të paraqitet pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit, për të bërë fotografimin e mjetit motorik të dëmtuar, si dhe për të plotësuar kërkesën për kompensim të dëmit.

6. Deri në çfarë vlere do të kompensohet pala e tretë e dëmtuar në një aksident trafiku, nëse shkaktari posedon sigurim kufitar valid?

Vlera e sigurimit për një rast dëmi është e përcaktuar sipas dispozitave ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Në përputhje me këto dispozita ligjore, çdo kompani e sigurimit dhe Byroja Kosovare e Sigurimit do ta kompensojnë palën e tretë nëse dëmi i shkaktuar është përgjegjësi/detyrim i njërit nga entitetet e përmendura më sipër.

*Këto dy pika të shitjes momentalisht janë jashtë funksionit.

(theksime sipas ueb faqes zyrtare të Byrosë Kosovare të Sigurimeve www.bks-ks.org)

Abonohu për më të rejat nga ne!
-
Subscribe for our latest news!