Pyetësori online lidhur me faktorët që kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale të sigurisë rrugore
3 Qershor 2019
Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve për shënimin e Javës së Pestë për Siguri Globale Rrugore të Kombeve të Bashkuara, e cila këtë vit ishte e fokusuar në udhëheqjen (lidershipin) për siguri në rrugë (SaveLIVES#SpeakUp), me datë 7 Maj 2019 në të gjitha rrjetet sociale është lansuar online pyetësori me qëllim marrjen e mendimit të qytetarëve lidhur me faktorët që mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale të sigurisë në rrugë.
Pas grumbullimit dhe analizimit të përgjigjeve të respondentëve, më poshtë mund të gjeni rezultatet përfundimtare:
Pjesa më e madhe e respodentëve, konkretisht 67% e tyre qarkullojnë nëpër qytet me automjet, kurse 33% qarkullojnë nëpër qytet në këmbë, me transport publik ose biçikletë.
70% e respodentëve kanë deklaruar se mungesa e trotuareve (hapësirave) për këmbësor është pengesa kryesore gjatë lëvizjes në rrugë, kurse 30% e tyre janë deklaruar se shpejtësia e lëvizjes së automjeteve dhe mungesa e transportit publik janë pengesat kryesore gjatë lëvizjes (qarkullimit) nëpër qytet.
87% e respodentëve njohin shumë mirë shenjat e trafikut, kurse 13% e tyre kanë deklaruar se i njohin mirë ose jo mjaftueshëm shenjat e trafikut.
70% e respodentëve mendojnë se ka nevojë për përmirësimin e kushteve ekzistuese të rrugëve, kurse 30% e tyre kanë deklaruar se duhet të ketë prezencë më të madhe të Policisë së trafikut dhe të vendosen më shumë pengesa fizike në rrugë.
91% e respodentëve mendojnë se në shkolla krahas lëndëve tjera mësimore duhet ligjëruar edhe lënda “Edukata dhe sjellja në trafik”.
77 % e respodentëve mendojnë se shoferët që bëjnë transportin e nxënësve duhet ti nënshtrohen një trajnimi të posaçëm lidhur me sigurinë në transportimin e nxënësve.
42 % e respodentëve mendojnë se ndalja e parregullt e automjetit nga ana e prindërve që bartin fëmijët e tyre në shkollë dhe anasjelltas shkakton tollovi dhe rrezikon lëvizjen e sigurtë të nxënësve në rrugë, 32% e tyre mendojnë se prindërit që bartin fëmijët në shkollë dhe anasjelltas nuk janë të kujdesshëm, kurse vetëm 26% mendojnë se po, prindërit e nxënësve janë të kujdesshëm.
Përsa i përket njohjes së numrave të shërbimeve emergjente në rast aksidenti:
86% e respodentëve dinë numrin e Qendrës së thirrjeve;
93% e respodentëve dinë numrin e Policisë së Kosovës;
71% e respodentëve dinë numrin e Zjarrfikësve;
64% e respodentëve dinë numrin e Ndihmës së shpejtë.
41 % e respodentëve kanë deklaruar se si shofer shkaku (arsyeja) për të cilën janë janë dënuar ka qenë tejkalimi i shpejtësisë. Kurse pjesa tjetër kanë deklaruar se janë dënuar për tejkalim në vijë të plotë, mos vendosje të rripit të sigurisë ose gjendje jo të mirë teknike të automjetit.
67 % e respodentëve mendojnë se çmimet e gjobave (dënimeve) në rast të shkaktimit të kundërvajtjeve në rrugë janë të larta, kurse 33% e tyre mendojnë se çmimet e gjobave (dënimeve) duhet të rriten.