Për herë të tretë në Kosovë shënohet Dita Evropiane pa viktima në rrugë

Prishtinë, 26 Shtator 2019

Dita Evropiane pa viktima në rrugë është lansuar për herë të parë në vitin 2016 nga TISPOL-Rrjeti Evropian i Policisë Rrugore dhe që nga atëherë përkrahet nga Komisioni Evropian. Qëllim kryesor i kësaj iniciative është që asnjë person nuk duhet të vdes në rrugët e Evropës gjatë kësaj dite.

Këtë vit për herë të tretë edhe vendi ynë u bë pjesë e shumicës së vendeve Evropiane për shënimin e Ditës Evropiane pa viktima në rrugë. Kolegji Tempulli dhe AMRKS organizuan një tryezë diskutimi me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës, Brigada e zjarrfikësve, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, ekspert të trafikut nga Kolegji Tempulli dhe AMRKS.

Koloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi tha se Policia e Kosovës është e gatshme të mbështesë projekte që ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për të gjithë pjesëmarrësit që duhet t’i respektojnë rregullat e trafikut. Sipas tij, dita e sotme shënohet me 15 viktima më pak, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit që shkoi.

E drejtori i Kolegjit Tempulli, z. Muhamed Krasniqi tha se shifra e aksidenteve në rrugë nuk mund të bëhet zero, por numri i aksidenteve mund të zvogëlohet ndjeshëm.

z.Fejzullah Mustafa nga Këshilli për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit tha se po punojnë për një infrastrukturë të mirë me aksidente më pak.