Ministria e Punëve të Brendshme dhe AMRKS nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 25 Korrik 2018

Me synim koordinimin institucional të aktiviteteve për rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik Ministri i Punëve të Brendshme z. Bejtush Gashi priti në takim pune themeluesin e AMRKS-së z. Muhamed Krasniqi me që rast përveç diskutimit për gjendjen atkuale në rrugët e Kosovës, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se kjo marrëveshje konfirmon angazhimin për të përmirësuar sigurinë rrugore në vend si dhe të bashkëpunojnë në çështjet të lidhura me sigurinë e lëvizjes në rrugë.

“Përkrahja e nismave për sigurinë në rrugë përmes programeve të propozuara për kampanja, fushata vetëdijësuese, hulumtime, konferenca, mundëson pjesëmarrjen e përbashkët në rastet kur temat që do të trajtohen dhe kanë një interes të përbashkët”, ka thënë Gashi.

Kurse sipas z. Krasniqi, objektivi kryesor i kësaj marrëveshje është zhvillimi dhe koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë rrugore në Kosovë, parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në rrugë duke siguruar një qasje moderne, profesionale, transparente në respektim të diversitetit, të drejtave të njeriut dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

“Gjithashtu, MPB dhe AMRKS u dakorduan që të ketë bashkëpunim edhe me institucionet tjera për siguri në rrugë përveç informacioneve për qytetarët lidhur me trafikun në rrugët e vendit të ofrojë edhe asistencë dhe ndihmë teknike në rrugë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”.