Mbi 80 pjesëmarrës dhe mbi 20 prezantues në Konferenën e 8-të vjetore ndërkombëtare
Sot, më 20.01.2022 u mbajt Konferenca e 8-të vjetore ndërkombëtare “Mobiliteti i Mençur – E ardhmja e transportit të qëndrueshëm dhe të gjelbër”, e organizuar nga AMRKS dhe “Tempulli, mbështetur nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, e cila mblodhi më shumë se 20 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e Transportit dhe Komunikacionit.
Drejtori i “Tempullit”, z. Muhamed Krasniqi hapi konferencën duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe mediat për promovimin e aktiviteteve të Tempullit dhe AMRKS-së, ndërsa theksoi rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla akademike dhe profesionale. Z. Krasniqi theksoi se për një siguri më të madhe në trafik duhet bërë çmos për të futur në përdorim teknologji të reja, që ta bëjmë lëvizjen më të përshtatshme nëpër qytet, me kosto më efektive për qytetin ashtu edhe për përdoruesit e rrugës.
“Qytetari, duke qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, veprimet e veta duhet t’i orientojë në ndërlidhjen e katër shtyllave mbi të cilat është ndërtuar një qytet i mençur, si: Infrastruktura Sociale, Infrastruktura Fizike, Infrastruktura Institucionale (përfshirë Qeverisjen) dhe Infrastruktura Ekonomike. Krijimi i rrugëve dhe hapësirave të destinuara për ecje, çiklizmin dhe përdorimin e transportit publik do të luajë një rol të madh në arritjen e këtij qëllimi sepse do të përmbushen kufijtë ligjorë të cilësisë së ajrit duke u mbështetur në burimet e rinovueshme të energjisë”, tha Drejtori i Tempullit, z. Muhamed Krasniqi.
Nënkolonel Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Trafikut të Policisë së Kosovës, ka treguar arsyet e aksidenteve me fatalitet. Ai tha se në vitin 2021 kanë humbur jetën 111 persona si pasojë e aksidenteve. Personat e vdekur për 1 milion banorë në vitin 2021 janë 63. Sa i përket faktorit njeri, vazhdon të qëndrojë arsyeja e mosmbajtjes së distancës në trafik. “Çështja e diasporës është se, e kemi bërë një analizë dhe në bazë shifrave të marra, numri i automjeteve ka qenë shumë më i madh në vitin 2021 në komunikacion me tabela të jashtme se sa me RKS”, tha ai. Z. Gunther Felingher, anëtar i Bordit të Asociacionit Kosovar të Motorizimit (AMRKS) – Kosovë, kërkoi që gjatë vitit 2030 të jenë në trafik vetëm veturat me rrymë si dhe të bëhet shkëmbimi i të dhënave me autoritetet e Bashkimit Evropian që do të ndalonte parregullsitë dhe aksidentet në Kosovë.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, z. Sami Mazreku, tha se në vitin 2021 janë lëshuar mbi 400 mijë polica të sigurimit. Ai tha se hyrjet dhe ardhjet në Kosovë shkaktojnë edhe aksidente. Po ashtu, z.Mazreku shpalosi edhe planet e digjitalizimit, me të cilat synojnë të mbështesin policinë dhe ministrinë e punëve të brendshme me qëllim të lehtësimin të raporteve dhe procedurave.
Ndërkaq prof. Mevlan Bixhaku nga “Tempulli” tregoi për gjendjen aktuale të Prishtinës si qytet i mençur, duke treguar potencialin dhe ngecjet që janë hasur në implementimin e planit të Mobilietit të Qëndrueshëm.
Z. Bixhaku theksoi se sipas gjendjes aktuale, zbatimi konkret i Planit është shumë i mangët, ku deri më tani janë ndërtuar vetëm disa shtigje për çiklistë, por të cilat nuk kanë ndërlidhje funksionale më pjesët tjera të qytetit.
Ai tha se janë dy projekte që funksionojnë deri diku në Komunën e Prishtinës, e ato janë aplikacioni i linjave të Trafikut Urban dhe projekti EasyPark Mobile, i cili mundëson pagesën e parkingut përmes telefonit.
Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermane prezantoi gjetjet e studimit “Transporti rrugor ndërkombëtar i mallrave në Kosovë”, që shfaq informacione relevante mbi gjendjen e transportit rrugor ndërkombëtar të mallrave në Kosovë, anëtarësimin e Kosovës në organizmat relevantë ndërkombëtarë dhe vështirësitë me të cilat përballet ky sektor.
Znj. Hasani paraqiti edhe rekomandimet e dala nga ky raport të cilat janë adresuar edhe tek institucionet përkatëse si; aplikimi për regjistrim në Këshillin e Byrove të Sigurimeve (kartonin e gjelbër), arritja e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e patentë shoferëve kosovarë, të punohet në njohjen e tabelave të regjistrimit nga ana e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës si dhe të aplikohet Konventa dhe Marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë çështjen e transportit ndërkombëtar të mallrave.
Kjo konferencë është përkrahur nga Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe u mbështetet nga Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës, Akademia IRU, EuroRAP, Federata Ndërkombëtare e Rrugëve IRF, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”-Kosovë, Universiteti Politeknik i Tiranës-Shqipëri, Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup-Maqedonia e Veriut, Universiteti “Shën Klementi i Ohrit”, Manastir-Maqedonia e Veriut dhe Fakulteti për Siguri Publike, Vushtrri-Kosovë.
Pjesëmarrës ishin përfaqësues të EuroRap, IRU Academy, International Road Federation, European Transport Safety Council ETSC, Policia e Kosovës, Byroja Kosovare e Sigurimeve, Ambasada Gjermane, Policia e Kosovës, Oda Ekonomike Gjermane, Oda Ekonomike Britanike etj. dhe me më shumë se 80 pjesëmarrës, ambasadorë, studentë, profesionistë dhe politikbërës.