Konferenca e II-të Ndërkombëtare „Siguria në trafikun rrugor dhe sfidat e transportit në Evropën juglindore“
Prishtinë, 22 dhe 23 Janar 2015
Më datat 22 dhe 23 Janar 2015 në Prishtinë u organizua konferenca e II-të ndërkombëtare „Siguria në trafikun rrugor dhe sfidat e transportit në Evropën Juglindore (EJL)“. Kjo konferencë arriti të bashkojë në një vend institucionet dhe palët e interesit nga Kosova me ato të shteteve të Europës Juglindore. Gjatë dy ditëve sa zgjati konferenca të pranishëm ishin afro 200 pjesëmarrës dhe 30 panelistë nga institucionet e vendit dhe të Evropës.
Organizimi i konferencës edhe këtë vit u mundësua nga AMRKS dhe Kolegji Tempulli, koordinuar nga IRU Academy dhe përkrahur nga Këshilli Evropian për Siguri në Transport – ETSC.
Në hapje të konferencës morën pjesë përfaqësues të niveleve të larta të shtetit si z. Ferid Agani Ministër i Planifikimit Hapësinor, Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, drejtori ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimeve z. Faton Abazi. Njëkohësisht edhe përfaqësues nga rajoni si Maqedonia, Shqipëria dhe bashkëpunëtoret ndërkombëtar nga Austria, Franca, Zvicra, Belgjika, Holanda.
Temë kryesore e ditës së parë të konferencës ishte prezantimi i projektit SEED (South East Europe Development of Road Transport) sponsorizuar nga BE, projekt që synon aftësimin dhe ngritjen e nivelit të aftësive teknike të instruktorëve që ofrojnë aftësim fillestar dhe periodik për shoferët profesionistë në rajonin e Evropës juglindore ne industrinë e transportit rrugor, si dhe njohjen e ndërsjellë të standardeve te kualifikimeve dhe kujdesin ndaj mjedisit. Pjesë e panelit në këtë ditë ishin ndër të tjerë edhe përfaqësuesit nga IRU Academy, Oda Ekonomike e Kosovës, Promotrans Group – Francë, AMERIT, Auto – Moto Association of Macedonia, Dekanët nga Kolegji Tempulli, UP, UPT.
Kurse dita e dytë e konferencës ishte e rezervuar për diskutim dhe shkëmbim të ideve në mes të specialistëve vendor dhe ndërkombëtar për përballje me sfidat që lidhen me sigurinë rrugore, parandalimin e aksidenteve si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rrugore, transportin, sigurimin e automjeteve, prezantimin e modeleve dhe zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të ndryshme për sigurinë në rrugë. Panalistët në ditën e dytë të konferencës ishin përfaqësuesit nga ETSC, Policia e Kosovës, MASHT, Ministria e Forcës së Sigurisë, Auto – Club Albania, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, Gjykata Themelore, OSBE, ICITAP, Qendra e Mjekësisë Urgjente.
Si pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe nënshkrimi i Memorandum bashkëpunimit me Auto Moto Association Macedonia – AMSM, që si qëllim kryesor ka shtrirjen e aktiviteteve të përbashkëta për siguri në rrugë.
Në fund të konferencës dy ditore Z. Muhamed Krasniqi prezantoj edhe rekomandimet të cilat dolën nga konferenca. Këto rekomandime do dorëzohen tek institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, me qëllim të vetëm që të gjithë së bashku të punojmë për realizimin e tyre ashtu që të kemi një përmirësim të sigurisë rrugore.