Kampanja vetëdijësuse “Mos e bjer punën deri këtu” përfaqëson Kosovën në konferencën Evropiane për Siguri në Rrugë

Bruksel, 17-18 Nëntor 2016

Video spoti “Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes” pjesë e kampanjës vetëdijësuese “Mos e bjer punën deri këtu” është përzgjedhur në mesin e shumë kampanjave të zhvilluara nga vende të ndryshme të Evropës për tu prezantuar në Konferencën Evropiane për kampanja vetëdijësuese për siguri në rrugë, e cila u mbajt më datë 17 dhe 18 Nëntor 2016 në Bruksel.

Në këtë konferencë themeluesi i AMRKS-së z. Muhamed Krasniqi përveç që prezantoj këtë kampanjë dhe qëllimin e saj, njëkohësisht prezantoj edhe aktivitetet tjera për sigurinë në rrugë të zhvilluara në Kosovë gjatë viteve të fundit.
Konferencën dy ditore e hapi z. Antonio Avenoso, Drejtor ekzekutiv i Këshillit Evropian për siguri në transport (ETSC). Në këtë takim ishte i pranishëm edhe z. Herman De Kro, President i ETSC dhe ish-Ministër i Transportit në qeverinë belge.

Gjatë dy ditëve u prezantuan kampanja mjaft interesante nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të disa vendeve të Evropës, si: Ministria Flamane e mobilitetit dhe punëve publike, Hulumtuesit Evropiane të përdoruesve të sigurisë rrugore (ESRA), Instituti Belg i sigurisë rrugore (BRSI), Fondacioni Flaman për njohuri në trafik (VSV), Bordi i sigurisë rrugore nga Austria, Këshilli Finlandez i sigurisë rrugore (Liikenneturva), Këshilli Danez i sigurisë rrugore, Autoriteti Belg i sigurisë rrugore, Agjencia Walloon për sigurinë rrugore (AËSR), Asociacioni Kosovar i motorizimit (AMRKS), Këshilli Norvegjez i sigurisë rrugore, Autoriteti për transport i Islandës, Fondacioni Flaman për njohuri në trafik (VSV), Këshilli Republikan për sigurinë në trafikun rrugor i Maqedonisë, Prindërit e viktimave në trafikun rrugor nga Belgjika, etj.

Ishte nder që në pranin e të gjithë këtyre zyrtarëve dhe përfaqësuesve të këtyre shteteve (të cilat investojnë shumë në aktivitete të ndryshme për ngritjen e sigurisë në rrugë), të vlerësohet lart puna e #AMRKS nga Kosova (një vend që nuk investon aspak për sigurinë në rrugë).