Gjendja e sigurisë në rrugë mjaft shqetësuese si pasojë e aksidenteve në trafik
Prishtinë, 18 Shtator 2015
Sa i përket aksidenteve në trafik në vend, gjashtëmujori i parë i këtij viti karakterizohet me një siguri më të madhe në rrugë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Këto dhe çështje të tjera të cilat lidhen me sigurinë në rrugë, u diskutuan sot në takimin e radhës që u mbajt nga anëtarët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë, ku morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës, Tempulli, AMRKS, OSBE, UNHCR, Këshilli i prindërve të Kosovës, Këshilli i mësimdhënësve të Kosovës dhe Forumi i Shofer Instruktorëve të Kosovës. Të gjithë një zëri shprehën shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e sigurisë në rrugë. Shtatori është muaji më i rëndë i këtij viti, për sa i përket viktimave nga aksidentet në trafik, ku vetëm brenda këtyre ditëve kanë qenë 14 persona të vdekur, derisa vitin e kaluar, gjatë gjithë muajit Shtatorit numri i viktimave ishte 10.
Pothuajse të gjithë të pranishmit gjatë fjalimeve të tyre shprehën vërejtje të shumta në (mos) punën e deritashme të Ministrisë së Infrastrukturës si institucion i cili ka mandat ligjor për sigurinë në rrugë në vend. Ata kërkuan me ngulm që përfundimisht Këshilli kombëtar për sigurinë në komunikacionin rrugor të ftojë të gjitha mekanizmat respektive për të analizuar gjendjen e sigurisë në rrugë e cila fatkeqësisht përditë e më tepër është duke u rënduar.
Me këtë rast u shpalosën edhe aktivitetet të cilat Forumi do ti zhvillojë brenda këtij viti por edhe në vitin e ardhshëm. Aktiviteti i radhës është caktuar me datë 15 Nëntor 2015 kur do të bëhet edhe shënimi i Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të aksidenteve në trafik.