Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe përkrahjen nga Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë këtë vit organizuan edicionin e katërt të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”, aktivitet ky tashmë tradicional në shkallë vendi, me nxënës përfaqësues të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta nga komunat e ndryshme të Republikës së Kosovës.
Këtë vit pjesë e aktivitetit ishin gjithsejtë 20 SHFMU nga 6 Komuna të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Vushtrri, Suharekë dhe Mitrovicë), kurse me qëllim të mbarëvajtjes së aktiviteteve nxënësit janë ndarë në dy grupe:
Grupi i parë – klasat 3, 4 dhe 5,
Grupi i dytë – klasat 6, 7, dhe 8.
Ky edicion sikurse edhe herëve të kaluara ka qenë i ndarë në pjesën teorike dhe praktike.
29 Mars deri më 1 Prill 2016
Pjesa teorike – grupet punuese kanë vizituar shkollat e përzgjedhura dhe kanë shpërndarë pyetësorë tek nxënësit. Duke u bazuar në rezultatet që merren nga pyetësori do të publikohet hulumtimi që ka për qëllim identifikimin e faktorëve kryesor që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes së nxënësve gjatë rrugëtimit nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.
13 Maj 2016, Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00
Pjesa praktike- manifestimi qendror në kuadër të edicionit të katërt të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë” që qëllim kryesor kishte testimin e nxënësve për shkathtësitë teknike në ngasjen e biçikletës.
Në hapje të këtij aktiviteti morën pjesë përfaqësues nga nivelet e larta të shtetit si z. Lutfi Zharku – Ministër i Infrastrukturës, znj. Anila Statovci – Zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kolonel Sheremet Ahmeti- Policia e Kosovës dhe përfaqësues të tjerë nga institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare.
Ministri i Infrastrukturës z. Lutfi Zharku tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje ta përkrah këtë aktivitet të rëndësishëm për fëmijët e Kosovës. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci Demaj, tha se MASHT, e ka për detyrë që t’i edukojë fëmijët në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm në mësim por edhe për jetën.
Përveç garave me biçikleta në agjendën e këtij manifestimi u nda edhe një hapësirë për aktivitete argëtuese për publikun. Kurse pas analizimit të rezultateve të nxënësve u shpallën edhe kampionët e këtij edicioni.