Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë u mblodh sot për të diskutuar mbi gjendjen e Sigurisë Rrugore
Prishtinë, 24 Dhjetor 2015
Në takimin e sotëm përmbyllës të Forumit të Kosovës për siguri në rrugë janë prezantuar në detaje të gjitha aktivitetet vjetore, të cilat janë zhvilluar përgjatë gjithë vitit në vend. Ndër të tjera të gjithë partnerët shfaqën brengën dhe shqetësimin e tyre për nivelin e sigurisë në vend si dhe numrin e aksidenteve të trafikut, të cilat për nga numri dhe pasojat e tyre tashmë konsiderohen si alarmante.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë ju bënë thirrje institucioneve të cilat kanë mandat për sigurinë në rrugë, që përfundimisht të marrin veprime konkrete dhe në bashkëpunim me mekanizmat tjera respektive të ndërmarrin edhe masa konkrete ndëshkuese, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë. Njëkohësisht ju bënë thirrje edhe të gjithë pjesëmarrësve në rrugë të jenë të kujdesshëm çdo herë e sidomos tani që kemi hyrë në stinën e dimrit dhe jemi në prag të festave të fundvitit.