Siç është lartcekur Festivali do të ketë disa aktivitete përmes të cilave do të promovohet siguria e jetës kësaj radhe me fokus të veçantë gjatë lëvizjes në rrugë.
Do të lansohen edhe fushata vetëdijësuese të cilat do të prekin ndërgjegjen e secilit qytetar për respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut.
Edicioni i parë është nisur nga përditshmëria jonë sidomos viteve të fundit, ku një pjesë të konsiderueshme të kohës e kalojmë në rrugë dhe për çdo çast rrezikojmë jetën tonë.
Rrezikimi i sigurisë të jetës tonë vjen pikërisht nga aksidentet në rrugë! Vetëm brenda këtij viti kemi mbi 110 qytetarë të cilët kanë humbur jetën dhe mijëra qytetarë të lënduar si pasojë e aksidenteve të shumta në trafikun rrugor. Ky numër kaq i lartë i vdekjeve në trafik na shtyri edhe neve që përveç formave tradicionale të vetëdijesimit të zgjerojmë aktivitetet tona edhe me veprime dhe masa tjera, me qëllimin më të mirë, që të kontribuojmë në përmirësimin e kësaj situate shqetësuese.
Në kuadër të këtij festivali janë parapara që përveç filmave që do të shfaqen, në të njëjtën kohë do të organizohen edhe disa punëtori (workshop) të ndara nga Policia e Kosovës, Qendra e Mjekësisë Urgjente, Ekspertë të trafikut, Producentë, Regjisorë, Kameramanë, etj. me tema si p.sh. si ofrohet ndihma e parë në raste të aksidenteve në trafik, vetëdijesimi i qytetarëve jo përmes gjobave por përmes filmit të shkurtër vetëdijësues me theks te posaçëm te rripi i sigurisë, telefoni mobil, mos mbajtja e distancës të sigurisë, ulësja për fëmijë, ngasja nën ndikim të alkoolit, vështirësitë në rreth rrotullime, aktrimi para kamerës, bërja e filmit përmes telefonit mobil (smart phone), etj. Këto aktivitete me Policinë është menduar të zgjasin gjatë gjithë vitit 2019.
Padyshim që Festivali ndërkombëtar i Filmit ‘’Siguria e jetës’’ si një formë e re e komunikimit do të përçojë porosinë e duhur te secili qytetar, se mbi të gjitha në këtë botë është siguria dhe mbrojtja e jetës. Çdo gjë në këtë botë ka një histori, sikurse edhe jeta që është një histori në vete. Nisur nga ky fakt edhe rrugët kanë histori. Secili pjesëmarrës në trafik, shofer, këmbësor apo thjeshtë udhëtar duke respektuar rregullat dhe shenjat e trafikut, duke treguar edukatë të lartë dhe sjellje të kulturuar në rrugë, ndikon në rritjen e sigurisë të lëvizjes. Duke përmirësuar sigurinë rrugore gjithmonë do të arrijmë me kohë në destinacionet e planifikuara dhe kështu rrugëtimet tona do të kanë përfundim të lumtur.