Aktivitetet për shënimin e Ditës Botërore për përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor 2016
Prishtinë, 17-20 Nëntor 2016
E diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.
Këtë vit Policia e Kosovës, OSBE, Kolegji i Shkencave të Aplikuara “Tempulli” (njëherësh edhe linku zyrtar për Kosovën në WDR), AMRKS dhe KUSA zhvilluan aktivitete katër ditore për shënimin e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor.
Dita I (17 Nëntor 2016)- Grupi punues gjatë gjithë ditës ishin prezent në media të shtypura dhe vizuele, për të diskutuar lidhur me qëllimin e shënimit të kësaj dite dhe njëkohësisht edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në rrugë dhe planin e veprimit për përmirësim të gjendjes aktuale. Intervistat në fjalë ishin një mundësi e mirë për sensibilizim të opinionit publik për rëndësinë e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor dhe mënyrën e përfshirjes së secilit pjesëmarrës në rrugë në këto aktivitete.
Dita II (18 Nëntor 2016)- Grupi punues në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Qendrën e Transfuzionit të Gjakut u lokalizuan në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me këtë rast shumë qytetar këtë ditë dhuruan gjak për personat e lënduar në aksidente trafiku.
Dita III (19 Nëntor 2016)- Grupi punues bashkë me qytetarë të shumtë pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë ndezën qirinj në nderim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Njëkohësisht gjatë kësaj kohe janë emetuar edhe video spote të cilat kanë për qëllim vetëdijesim e të gjithë pjesëmarrësve për një sjellje të edukuar dhe të përgjegjshme në trafik.
Dita IV (20 Nëntor 2016)- Aktiviteti i parafundit për këtë vit ishte Konferenca Ndërkombëtare për shënimin e Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor, ku morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve vendore dhe rajonale. Kjo konferencë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për gjendjen e sigurisë në rrugë e cila ekziston në vendin tonë dhe dhënien e rekomandimeve për veprimet që duhet të ndërmerren për përmirësim të gjendjes aktuale.
Aktivitetet u përmbyllën me marshin përkujtimor në qendër të qytetit për nderim të gjithë personave që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa pjesëmarrës ishin pjesëmarrësit e konferencës dhe qytetarë të shumtë.