Regjistrimi i automjeteve në Kosovë bëhet në Qendrën për Automjeteve në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bazë të vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit.

Vërejtje: AMRKS nuk bënë regjistrimin e automjeteve, ne vetëm ofrojmë informacione, të cilat mund ti gjeni më poshtë.

PËR REGJISTRIMIN E AUTOMJETIT NEVOJITEN DOKUMENTET SI NË VIJIM:

Dëshmia mbi pronësinë e automjetit,

Fatura e prodhuesit – shitësit të automjetit,

Dokumenti origjinal i shtetit përkatës,

Dokumenti i identifikimit të lëshuar nga organet e Kosovës,

Polica e sigurimit e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e lëshimit;

Dokumenti unik doganor, në raste të veçanta edhe vendimi doganor,

Dëshmia mbi pagesën e taksës,

Dëshmia mbi pagesën e taksës rrugore dhe ekologjike për automjetin,

Certifikatën e kontrollit teknik të automjetit të lëshuar nga subjekti i licencuar nga organi kompetent, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e lëshimit,

Automjetet e reja të cilat marrin pjesë në komunikacionin rrugor do t’i nënshtrohen kontrollit teknik gjatë muajit në të cilin i kalon afati prej 24 muajsh nga kontrolli i parë teknik.

PËR AUTOMJETET TË CILAT BARTIN MALLRA TË RREZIKSHME NEVOJITET edhe certifikata e ADR-së, e cila nuk mund të jetë më e vjetër se një (1) vit.

NËSE JANË DISA BASHKËPRONARË TË AUTOMJETIT, automjeti regjistrohet në emër të njërit bashkëpronarë me një deklaratë me shkrim prej bashkëpronarëve të tjerë, të vërtetuar nga organi kompetent,
Kërkesën për regjistrim të automjetit e paraqet pronari i automjetit ose personi i autorizuar me autorizim të vërtetuar në gjykatë ose te noteri.

PËR AUTOMJETET E NDËRMARRJEVE PUBLIKE nevojitet autorizimi nga ndërmarrja publike.
Automjetet në pronësi të personave fizik regjistrohen në bazë të vendbanimit apo vendqëndrimit, ndërsa automjetet në pronësi të personave juridik regjistrohen në bazë të certifikatës së biznesit,
Dëshmia mbi pagesën e taksës komunale për automjetin.

PËR REGJISTRIMIN E AUTOMJETIT PËR HERË TË PARË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS nevojitet edhe certifikata e homologimit.

Nëse pala nuk posedon dokumentin origjinal mund të prezantoj fotokopjen e dokumentit të vërtetuar nga shteti përkatës ose dokument tjetër origjinal, i cili prezanton mjaftueshëm të dhënat e automjetit në fjalë.

PËR MJETIN E PUNËS – TRAKTOR, për të cilët pala nuk posedon dokument, të cilët kanë ekzistuar në Kosovë para 10 qershorit 1999, pala mund ta regjistrojë traktorin me deklaratën e dy dëshmitarëve të vërtetuar në gjykatë ose nga noteri.

PËR AUTOMJETET E REGJISTRUARA NË KOSOVË PARA 10 QERSHORIT 1999 mund të bëhet ri-regjistrimi. Për këtë kategori të automjeteve përpos dokumentit origjinal, nevojiten këto dokumente:

Dokumenti mbi regjistrimin e automjetit, nga regjistrimi i fundit,

Në rastet kur mungon CRA (Certifikata e regjistrimit të automjetit) për çfarëdo arsye atëherë nevojitet kopja e vërtetuar e dosjes e cila lëshohet nga organi kompetent i ngarkuar me arkivat të cilat i përmbajnë këto lëndë në DRA (Drejtoria për regjistrimin e automjeteve).

DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR VAZHDIMIN E REGJISTRIMIT ËSHTË:

Certifikata e regjistrimit të automjetit,

Certifikata e rregullsisë teknike e automjetit,

Polica e sigurimit dhe dëshmia e pagesës në bankë, ndërsa për institucionet shtetërore dhe kompanitë publike nevojitet vetëm marrëveshja në mes të kompanisë dhe institucioneve (profaktura e sigurimit),

Prezantimi i dokumentit të identifikimit të pronarit,

Dëshmia mbi pagesat e taksave,

Kërkesa për vazhdimin e regjistrimit mund të bëhet maksimalisht pesëmbëdhjetë (15) ditë para kalimit të afatit të regjistrimit të mëparshëm.

Qendra e regjistrimit të automjeteve është e obliguar të bëj vazhdimin e regjistrimit të automjetit nga data e skadimit të afatit të regjistrimit.

Pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditë nga data e skadimit të regjistrimit të automjetit, pronari i automjetit është i detyruar të paguaj taksën administrative për çdo tridhjetë (30) ditë, ashtu siç është përcaktuar në vendimin për tarifa.

Në rastet kur tridhjetë (30) ditë pas skadimit të afatit të regjistrimit të automjetit është ditë feste apo ditë vikendi, pala nuk e paguan dyfishin e taksës administrative në ditën e parë të punës.

Ç’LAJMËRIMI I AUTOMJETIT

Për ç’lajmërim të automjetit nevojitet:

Dorëzimi i targave të regjistrimit në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve,

Kërkesa për ç’lajmërim të automjetit,

Prezentimi i Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit,

Certifikata e Regjistrimit të Automjeteve,  e ç’lajmëruar, në origjinal i kthehet palës, ku evidentohet data e ç’lajmërimit,

Pala ka të drejtë të bëj ç’lajmërimin brenda 30 ditëve pas skadimit të afatit të vazhdimit. Ç’lajmërim i automjetit bëhet në bazën e të dhënave.

Pala është e obliguar ta bëj ç’lajmërimin e automjetit në këto raste:

Në rastin e mos vazhdimit të regjistrimit, amortizimit, dëmtimit, aksidentit dhe daljes së automjetit jashtë funksionit për çfarëdo arsye, bëhet ç’lajmërimi dhe kthimi i targave me kërkesën e palës,

Nëse automjeti është vjedhur, duhet të sjellë raportin e policisë si dëshmi për ç’lajmërim,

Pas skadimit të vlefshmërisë së regjistrimit brenda afatit 30 ditë, nëse këto automjete nuk regjistrohen ose nuk ç’lajmërohen, atëherë do të kalojnë në automjete pasive në bazën e të dhënave mbi regjistrimin e automjeteve,

Pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditësh pronari i automjetit është i detyruar të paguaj taksën administrative për çdo tridhjetë (30) ditë, ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 10 të këtij udhëzimi administrativ.

HUMBJA APO VJEDHJA E TARGAVE APO CERTIFIKATËS SE REGJISTRIMIT TË AUTOMJETIT

Në rastin e humbjes apo vjedhjes së Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit ose targave të regjistrimit pronari apo përdoruesi i automjetit duhet të lajmëroj në stacionin më të afërt policor. Policia pas lajmërimit të rastit, duhet ta lëshoj dokumentin për humbjen apo vjedhjen e Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit ose targave, sipas pohimit të lajmëruesit.

Ky dokument duhet t’i përmbaj të dhënat e mjaftueshme për pronarin, automjetin, Certifikata e Regjistrimit të Automjetit ose targat.

Në rastin e dëmtimit të Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit ose targave, pala duhet që këto (Certifikata ose targat e dëmtuara), t’ia prezantoj Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe më pas ai e merr Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit  të  re ose targat e reja të cilat i paguan sipas vendimit mbi tarifat, ndërsa Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit të dëmtuar ose targat arkivohen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

Për ndërrim të Certifikatës së Regjistrimit të Automjetit ose targave bëhet kërkesa me shkrim.

RIREGJISTRIMI I AUTOMJETIT

Në rastin kur automjeti është i ç’lajmëruar dhe kërkohet nga pala të bëhet riregjistrimi, nevojiten këto dokumente:

Certifikata e Regjistrimit  të Automjetit,  e ç’lajmëruar;

Kontrollimi teknik;

Polica e sigurimit dhe dëshmia mbi pagesën;

Pagesa e taksave administrative sipas vendimit mbi tarifat.

Në rast të ndërrimit të pronarit kërkohet kontrata e shitblerjes, kontrata mbi dhuratën, akti i trashëgimisë, dokumenti me anën e të cilit është fituar pronësia.

Automjetet që shiten në ankand publik të cilat më parë janë konfiskuar nga organet kompetente, mund të riregjistrohen me vendim ekzekutiv të gjykatës, vendimin e organeve të ndjekjes, si dhe aktin e shitblerjes të Shërbimit Doganor të Kosovës.

Në këto raste transaksioni i ndryshimit të pronësisë bartet tek blerësi fituesi në ankandet e rregullta publike i cili më parë duhet të kryej obligimet sipas paragrafit 1 të këtij neni.

Automjetet e institucioneve shtetërore të cilat shiten në ankand publik kontraktohen vetëm përmes institucionit përkatës, kontraktuesi mund t’ia bartë kontratën edhe palës së tretë me kontratë të veçantë.

Për automjetet që më parë janë ç’lajmëruar dhe duhet të bëhet bartja e pronësisë, edhe nëse blerësi i takon një komune tjetër, mund të riregjistrohet në QRA (Qendra  e Regjistrimit  të Automjeteve)  në bazë të vendbanimit ose vendqëndrimit të qytetarit.

Automjetet e ç’lajmëruara mund ta bëjnë riregjistrimin duke përfshirë taksat për riregjistrim. Automjetet të cilat për një arsye apo tjetër janë regjistruar në mënyrë jo të rregullt i nënshtrohen procesit të legalizimit, pas përfundimit të procedurave administrative dhe ligjore.

TARGAT PROVUESE

Dhënia e targave provuese nuk nënkupton regjistrim të automjetit. Por, dhënia e targave provuese është mundësi për kyçje në komunikacionin rrugorë për kohën e përcaktuar sipas këtij neni. Targat provuese mund të jepen për automjete motorike dhe bashkëngjitëse. Me rastin e dhënies së targave provuese, palës i lëshohet një vërtetim nga Qendra e Regjistrimit te Automjeteve.

Targat provuese për automjete duhet të kenë dimensione 340 x 200 mm.

Targat provuese jepen nga Qendra  e Regjistrimit  të Automjeteve sipas kërkesës së pronarit të automjetit, në këto raste:

Për automjete të reja;

Për automjete të përdorura dhe të riparuara me të cilat kryhet vozitja provuese për testimin e automjetit dhe gjendjes së tij;

Automjetet që lëvizin nga selia e ndërmarrjes prodhuese deri në selinë e ndërmarrjes që i shet;

Për automjetet që lëvizin në panaire, autosallone për qëllim të shitjes;

Automjetet që lëvizin për t’i dërguar në kontrollim teknik të cilave iu ka skaduar regjistrimi.

Për lëshimin e targave provuese kërkohen këto dokumente:

Dëshmia mbi pronësinë;

Kërkesa për lejimin e targave provuese;

Dëshmia mbi pagesën e taksave administrative;

Pagesa e targave provuese;

Dëshmia mbi pagesën e sigurimit ndaj palëve të treta.

Me rastin e dhënies së targave provuese pronarit i lëshohet vërtetimi për shfrytëzimin e targave i cili përmban:

Emrin dhe mbiemrin e poseduesit të automjetit;

Qëllimin e përdorimit të automjetit;

Llojin e automjetit, marka, modeli, numri i identifikues i automjetit, ngjyra dhe afati i përdorimit të targave provuese

Targat provuese lëshohen me afat deri në 15 ditë për automjetet e zhdoganuara.

Targat provuese mund të lëshohen sipas kërkesës së palës në QRA (Qendra  e Regjistrimit  të -Automjeteve) më të afërt me pikën kufitare të hyrjes së mjetit motorik.

NDËRRIMI I PRONARIT TË AUTOMJETIT

Në rast të ndërrimit të pronarit, pronarit të ri i kërkohen këto dokumente:

Kërkesa për ndërrim pronari;

Kontrata e shitblerjes apo dokument tjetër të vërtetuar nga gjykata ose kompanitë e licencuara ose nga noteri që dëshmon mbi fitimin e pronësisë në pajtim me ligjin;

Certifikata e Regjistrimit të Automjetit, e pronarit paraprak;

Policën e sigurimit në emër të pronarit të ri me dëshmi për pagesën e kryer;

Certifikatën mbi konfirmimin e rregullsisë teknike në emër të pronarit të ri, nëse automjeti nuk ka vazhdim;

Dokumentin e identifikimit personal të shitësit dhe blerësit, kurse në rastin kur kontrata e shitblerjes vërtetohet nga gjykata ose noteri, dokumentet e identifikimit nuk janë të domosdoshme.

XHAMAT E HIJEZUAR

Xhamat e hijezuar mund t’i gëzojnë të gjithë qytetarët vetëm për ato automjete të cilat si të tilla janë të prodhuara nga vet prodhuesi i mjetit motorik.

Evidentimi i posedimit të xhamave të hijezuar pas konstatimit të gjendjes teknike shënohet në CRA (Certifikata e Regjistrimit të Automjeteve)  në rubrikën “ shënime”.

Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim në xhamat e automjeteve është e ndaluar, përveç rasteve kur përcaktohet me vendim të ministrit.

QRA (Qendra  e Regjistrimit  të Automjeteve) mban evidencat mbi regjistrimin e automjeteve në arkivin përkatës si dhe në programin elektronik për bazën e të dhënave mbi regjistrimin e automjeteve.

Arkiva e automjeteve përbëhet nga dosjet e automjeteve të cilat mbahen dhe rregullohen sipas numrit të targës të regjistruesit të automjetit. Evidenca mbi regjistrimin e automjetit ruhet në arkivat e QRA(Qendra  e Regjistrimit  të Automjeteve), deri 30 vite. Ndërsa vazhdimet e regjistrimit të automjetit ruhen deri në 3 vite.

Evidentimi i të dhënave mbi regjistrimin e automjetit në programin elektronik bëhet sipas kërkesave për regjistrim të automjetit në QRA(Qendra  e Regjistrimit  të Automjeteve).DRAPSH mban evidencat e të dhënave elektronike mbi regjistrimin e automjeteve të të gjitha QKRA ose ne sistemin online.

LLOJET E TARGAVE NË KOSOVË

Për të gjitha llojet e rimorkiove dhe për motoçikleta, jepet vetëm një targë.

Targat horizontale të automjeteve duhet  të jenë me ngjyrë të bardhë retroreflektuese, numrat dhe shkronjat me ngjyrë të zezë, ndërsa korniza me ngjyrë të zezë me gjerësi 4 mm. Në të gjitha targat horizontale në pjesën e parë vertikale të targës e cila është ngjyrë e katërt, vendoset  kodi i Republikës së Kosovës, RKS, me ngjyrë ari. Në pjesën e dytë të targës  shënohen shifrat e rajonit përkatës, të cilat kanë këtë domethënie:

01– për rajonin e Prishtinës

02– për rajonin e Mitrovicës

03– për rajonin e Pejës

04– për rajonin e Prizrenit

05– për rajonin e Ferizajt

06– për rajonin e Gjilanit

(theksime sipas ueb faqes zyrtare të Ministrisë së punëve të brendshme www.mpb-ks.org)

Abonohu për më të rejat nga ne!
-
Subscribe for our latest news!